Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fermerët në Shqipëri në protestë, kërkojnë më shumë mbështetje

Elton Ndoni, blegtor në fshatin Grabian të Divjakës, e zbardhi me qumësht rrugën në rreth-rrotullimin e Savrës në Lushnje të Shqipërisë.

Prej datës 1 prill, ai dhe blegtorë të tjerë të kësaj zone nuk e dorëzuan qumështin në fabrikat e përpunimit, për shkak të, siç thonë, çmimit të ulët që paguajnë përpunuesit.

Nga fillimi i marsit, grumbulluesit dhe fabrikat i ulën çmimet, me të cilat ua marrin prodhuesve qumështin apo frutat e perimet.

Ndoni tregon se fabrikat e kërkojnë qumështin me 5 lekë më pak për litër, dhe kjo, sipas tij, e dëmton blegtorin.

“Dhjetë mijë litra qumësht i futa në autobot dhe i derdha në rrugë, në shenjë proteste, për shkak të çmimit të ulët, me të cilin na e kërkojnë. E bëra që ta shihnin të gjithë, edhe fabrikat, edhe autoritetet, sepse ky është gjaku i fermerit”, thotë Ndoni për Radion Evropa e Lirë.

Prej 20 vjetësh, ai ka një fermë me një mijë krerë lopë, por thotë se është bërë shumë e vështirë për ta vazhduar këtë punë.

“Makutëria e industrisë së qumështit e ka shkaktuar këtë situatë. Çmimi caktohet në zyrat e punishteve. Vjen qumësht nga Hungaria dhe neve na kanë çuar në fund”, thotë Ndoni.

“Edhe tregtarëve s’u vë faj se e gjejnë më lirë… sepse atje [në vendet e Bashkimit Evropian] blegtori subvencionohet për litër qumështi, për krerë bagëtish etj., kurse unë këtu deri vjet subvencionohesha për 50 krerë bagëti nga një mijë lekë [10 euro] për një, ndërsa për pjesën tjetër fare. Sivjet ka ndryshuar diçka, sepse për pjesën tjetër, veç 50 krerëve, ka subvencionim me 50%”, thotë blegtori.

Ndoni ishte pjesë edhe e protestës që u mbajt pak ditë më parë nga dhjetëra blegtorë, të cilët udhëtuan me traktorët e tyre nga Kavaja, Vlora, Berati, Fieri, Lushnja etj, dhe u mblodhën te rreth-rrotullimi i Savrës në autostradën Lushnje-Fier.

Protestuesit thanë se janë të detyruar ta shesin qumështin me çmim tejet të lirë, pasi fabrikat e përpunimit të bulmetit kanë fiksuar çmimin në 50 lekë [më pak se 50 centë] për litër. Disa përfaqësues fabrikash nuk pranuan të deklarohen.

Ndoni dhe fermerë të tjerë zhvilluan gjatë këtyre ditëve takime me përfaqësues të fabrikave dhe të shtetit dhe i lanë kohë njërit-tjetrit për të gjetur zgjidhje.

Ditën e protestës, ministrja e Bujqësisë e Shqipërisë, Anila Denaj, reagoi në rrjetet sociale duke shkruar se “formalizimi përmes kontratave në marrëdhënien blegtor – pikë grumbullimi, është rruga e vetme për të garantuar një treg të sigurt dhe me çmime të balancuara”.

Blegtorët thonë se presin deri në 60 ditë që të paguhen për qumështin që shesin, derisa fabrikat t’i shesin produktet e tyre, por këtë e shohin si të padrejtë, sepse, siç thonë, për qumështin që importojnë nga jashtë, ato janë të detyruara të paguajnë direkt.

Fermeri: Mollët mbeten, nuk ia vlen mundi

Probleme nuk kanë vetëm blegtorët, por edhe fermerët që kultivojnë fruta apo perime.

Daniel Cangonji, nga Fshati Cangonj në Devoll, thotë se është penduar që është kthyer nga Greqia për të investuar në vendin e tij.

“Kam ardhur nga Greqia në vitin 2013 dhe jam penduar. Në dy vjetët e parë shkoi mirë, pastaj nuk e nxora dot mundin dhe paratë që hedh për të kultivuar mollë. Vetëm një nga pesticidet që përdor në Shqipëri e marr me 12 euro; në Greqi e gjej me 5”, thotë Cangonji për Radion Evropa e Lirë.

Ashtu si blegtorët, problemin e ka me grumbulluesit. Mollët tani janë në fazën e lulëzimit, por, deri tani, është dashur shumë mund për t’i spërkatur me pesticide, për t’i krasitur apo për të frezuar tokën dhe për ta ujitur, ndërsa grumbulluesit ua marrin me një çmim që Cangonji e cilëson qesharak.

“Unë e jap me 30 lekë dhe grumbulluesi e shet me 70. Në Tiranë shkon te 130 apo 150 kilogrami i mollës. Punëtori më ka vajtur në 250 lekë dita. Duhet t’i bie Devollit rreth e rrotull për të gjetur punëtorë, se nuk ka, të rinjtë kanë ikur”, thotë Cangonji.

Duke sjellë shembullin e Greqisë ku punoi për disa vite, ai thotë se shteti përcakton edhe sipërfaqen e tokës që duhet mbjellë me një kulturë bujqësore apo një tjetër dhe, gjithashtu, garanton shitjen dhe malli nuk rrezikon të mbetet stok.

“Duhen më shumë politika mbështetëse”

Eksperti i bujqësisë, Agim Rrapaj, njëkohësisht udhëheqës i Këshillit të Agrobiznesit në Shqipëri, thotë se autoritetet duhet t’u japin rrugëzgjidhje kultivuesve.

“Do të duhej të kishte subvencionim për litër qumështi, jo për krerë bagëtish. Ka informalitet të lartë për të përballuar këtë krizë në këtë sektor, informalitet dhe konkurrencë të pandershme”, thotë Rrapaj.

“Gjithashtu, kemi nivelin më të ulët të subvencionit në rajon dhe kjo bën që importuesit e produkteve të qumështit ta gjejnë më lirë në tregjet jashtë vendit”, shton ai, por nuk specifikon më shumë.

Rrapaj thotë se edhe buxheti i përcaktuar për Ministrinë e Bujqësisë është i ulët, ndërkohë që sektori është jetik për ekonominë e vendit.

“Një studim që e kemi bërë, rezulton se Ministrisë së Bujqësisë i duhen shtuar edhe 90 milionë euro për të mbështetur sektorin privat”, thotë Rrapaj për Radion Evropa e Lirë.

Fondet për Ministrinë e Bujqësisë këtë vit janë 14.1 miliardë lekë [rreth 140 milionë euro] nga 15.6 miliardë lekë sa ishin një vit më parë.

Në dokumentin e politikave me prioritet 2025-2027, Qeveria e Shqipërisë thotë se bujqësia kontribuon në 18.36% të prodhimit të brendshëm bruto dhe punëson 33.6% të fuqisë punëtore në vend.

Sipas Qeverisë, bujqësia po përballet me mungesë punonjësish të kualifikuar.

Për tre vjetët e ardhshëm, planet për këtë sektor nuk janë për shtim të ndjeshëm të fondeve, edhe pse gjatë diskutimeve të buxhetit u deklarua se për rimëkëmbjen e këtij sektori fondet duhen trefishuar.

Instituti i Statistikave i Shqipërisë raportoi se sektori që punëson më shumë se një të tretën e shqiptarëve, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar u tkurr me 3.07%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Në korrik të vitit të shkuar, Bashkimi Evropian vendosi t’ia pezullojë Shqipërisë fondet për bujqësi IPARD, për shkak të dyshimeve për keqmenaxhim, ndërsa rezultatet e hetimeve nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, më pas, iu dorëzuan autoriteteve të Brukselit.

Vitin e ardhshëm, Bashkimi Evropian do t’i zhbllokojë këto fonde, duke u dhënë mundësi fermerëve të përfitojnë mbështetje për të zhvilluar aktivitetin e tyre.

Muajve të fundit kishte protesta të fermerëve edhe në pjesë të tjera të Evropës, si Francë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Poloni, Spanjë, Itali dhe Greqi, për shkak të, siç u tha, rritjes së kostove dhe taksave, burokracisë, rregullave të tepërta mjedisore dhe konkurrencës nga importet e lira të ushqimeve.

Tags: