Rrjete sociale serbe kanë publikuar fotografitë dhe emrat e pesë pjesëtarëve të rinj serbë që sapo kanë filluar detyrën në Policinë e Kosovës.
Publikimi është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram.
Publikimi i plotë:
“Lista e serbëve nga veriu i Kosovës që sot kanë filluar punën në të ashtuquajturën Policia e Kosovës”, thotë postimi.
Më tej janë publikuar emrat dhe mbiemrat e serbëve, që ne do t’i publikojmë me iniciale: N.S, T.V, J.M, P.S dhe S.M.
Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.
Kosovapress, ua ka mbyllur identitetin serbëve të kërcënuar, në mënyrë që mos t’i kontribuojë rritjes së kërcënimeve ndaj tyre!
Kujtojmë se serbët janë dorëhequr nga Policia e Kosovës në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, me kërkesë të Listës Serbe.