Ka filluar digjitalizimi i shkollave në kryeqytet dhe se sot është bërë shpërndarja e 175 tabelave të mençura në shkolla.
Nënkryetarja dhe drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi transformues arsimor për Prishtinën.
Lushaku-Sadriu ka deklaruar për “Indeksonline” se të gjitha klasët e dhjetë shkollave të kryeqytetit, janë pajisur tashmë me tabela digjitale dhe se synim i tyre mbetet rritja e cilësisë në arsim.
” Ky është projekti më i madh që transferon klasën ne një klasë Digjitale e moderne, me mundësi mësimi bashkëkohor. Me këtë investim kryeqyteti synon të ua lehtësojë nxënësve kuptimin e mësimeve. Të ua rrisë mundësitë kreative të ligjerimit mësimdhënësve dhe të rrisë cilësinë e arsimit në shkolla”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Ndryshe Lushaku-Sadriu së bashku me kryetarin Përparim Rama sot kanë vizituar shkollën “Xhemail Mustafa” dhe “Model”, për të parë nga afër transformimin e ri të klasave në klasa digjitale.
“ Takuam fëmijë të gëzuar për mundësitë e reja. Mësues të ngazëllyer për mundësimin e ligjerimeve interaktive me vizualizim në tabela digjitale. Një mënyrë krejtësisht inovative e të zhvilluarit të mësuarit”, ka thënë Lushaku-Sadriu.