Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fitoi xhekpotin prej 340 milionë dollarësh, i ndodh e papritura

Një person nga Uashington DC, i cili mendoi se fitoi bingon me vlerë 340 milion dollar ka paditur Powerball dhe Lottery DC, të cilët pretendojnë se i publikuan gabimisht numrat e tij. John Cheeks tha se u ndje “i mpirë” kur pa për herë të parë se numrat fitues të Powerball përputheshin me biletën e tij në janar 2023. Por kur zoti Cheeks paraqiti biletën e tij në Zyrën e Lotarisë dhe Lojërave, kërkesa e tij u refuzua.

“Një nga agjentët më tha që bileta ime nuk ishte e saktë, ishte thjesht për ta hedhur në koshin e plehrave”, tha ai për BBC.

Në vend të kësaj, z. Cheeks nuk e hodhi në kosh por e mbajti atë biletë dhe gjeti një avokat. Tani ai po padit lotarinë për dëmshpërblim, në shumën e jackpot-it të Powerball, plus interesin që do të kishte fituar nga ajo në ditë, në total 340 milionë dollarë.

Sipas dokumenteve të gjykatës, Powerball dhe një kontraktues llotarie, Taoti Enterprises me bazë në DC, pretendojnë se konfuzioni erdhi nga një gabim teknik. Në një dosje gjyqësore, një punonjës i Taoti tha se më 6 janar 2023, ditën kur zoti Cheeks bleu biletën e tij, një ekip i sigurimit të cilësisë po kryente teste në faqen e internetit. Atë ditë, një grup numrash testimi të Powerball, të cilat përputheshin me numrat e zotit Cheeks u postuan në uebsajt “aksidentalisht”, sipas dokumenteve të gjykatës. Ato numra qëndruan në internet për tre ditë, deri më 9 janar.

Cheeks tani është duke paditur për tetë akuza të veçanta, duke përfshirë shkeljen e kontratës, neglizhencën, shkaktimin e shqetësimit emocional dhe mashtrimi. Avokati i Cheeks, Richard Evans, tha në dokumentet e gjykatës se për shkak se numrat fitues përputheshin me numrat e Cheeks, ai ka të drejtën e “çmimit të parë të plotë”.

“Kjo nuk ka të bëjë thjesht me numrat në një faqe interneti; ka të bëjë me besueshmërinë e institucioneve që premtojnë mundësi për të ndryshuar jetën, ndërsa përfitojnë shumë në proces,” tha ai.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për më 23 shkurt. Shanset që zoti Cheeks, apo dikush tjetër, të fitojë jackpot-in janë jashtëzakonisht të rralla, rreth një në 292.2 milionë. Në krahasim, shanset për t’u goditur nga rrufeja gjatë vitit të ardhshëm janë 1 në 1.22 milionë, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA.