
Familja e veprimtarit të vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës Haki Imeri, ka dalë me një shkrim në Facebook, lidhur me procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
Familja mbështeti “fitoren masive” të LVV-së së Kurtit, derisa ‘goditi’ partitë opozitare dhe fushatat “multimilionëshe”.
Në një postim në Facebook ajo përmendi propaganda, sulmet dhe tentativat për manipulim të votave.
“Po, fillimi i 14 shkurtit 2021 vazhdon më 9 Shkurt 2025.
Dhe opozita, për kujtim të fundit, ka vetëm hije dhe një kuti bosh votash për të mbajtur në duar”, shkroi ndër të tjera familja Imeri, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Fitorja masive e Albin Kurtit!
-Dritat e fushatës multimilionëshe u fikën një nga një, si kandila në një mort politik.
-Zhurmat e propagandës u tretën në ajrin e ftohtë të dështimit, dhe makinat e mbushura me zarfe të shpresave të fundit ndaluan në qoshet e errëta të zhgënjimit.
-Dita e gjykimit erdhi.
-Populli, ky orkestër i përzier me entuziazëm dhe hakmarrje, ushtoi nga veriu në jug:
-Edhe 4 vjet për Albin Kurtin!
-Një britmë që gërvishi muret e zyrave të opozitës, duke u përplasur si një refren i pashmangshëm mbi kokat e trazuara të liderëve të saj.
-Në prapaskenë, opozitarët shikonin njëri-tjetrin si aktorë të një tragjedie që kishin shkruar vetë, por pa e kuptuar se ishin edhe protagonistët e saj.
-LDK-ja, dikur një mur i pathyeshëm, tani u shemb si një kështjellë prej letre të lagur nga lotët e votuesve të zhgënjyer.
-Elektorati nuk duroi më akrobacitë e liderëve që buzëqeshnin me njërën dorë në xhep dhe me tjetrën gërmonin në arkivat e mëkateve të vjetra.
-Kërkonin ‘Rugën e re’ me bekimin e Edi Ramës…
-Në anën tjetër, PDK-ja numëronte votat me gishta të dridhur, duke mos e besuar që edhe aty, mes fletëve të bardha, nuk gjente asnjë dritare shpëtimi.
-Ku janë investimet e fushatë?
-Ku janë shantazhet, manipulimet?
-AAK-ja një hije e zbehtë që fërkonte duart, duke pritur ndonjë mandat që kushedi, ndoshta te binte nga qielli…
-Por UNIVERSI, për fat të mire, kishte vendosur ndryshe.
-Nuk binin më vota, vetëm lot zhgënjimi për këta të ‘shtirtë’…
-Sikur të mos ishte Limaj, AAK-ja as në hartën politike nuk do të ekzistonte më…
-Ndërsa ata numëronin dështimet, LVV, Guxo dhe Alternativa marshuan me verdiktin e popullit në duar.
-Po, fillimi i 14 Shkurtit 2021 vazhdon më 9 Shkurt 2025.
-Dhe opozita, për kujtim të fundit, ka vetëm hije dhe një kuti bosh votash për të mbajtur në duar.