Në kuadër të aktiviteteve në shënim të 16-të vjetorit të Pavarësisë, u mbajt ceremonia e pritjes shtetërore e organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja, Vjosa Osmani Sadriu, si dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ku të ftuar e të pranishëm ishin udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, deputetë të Kuvendit, ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë e shumë personalitete të rëndësishme.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia e juaj, znj. Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia juaj, z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë dhe znj. Begaj,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca,
I nderuari, ish-president i Republikës së Kosovës, z.Fatmir Sejdiu,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra të Qeverisë,
Të nderuar kryetarë të subjekteve politike e përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, nga Lugina e Preshevës, nga Mali i Zi, Shqipëria dhe gjetiu,
Shkëlqesi ambasadorë, dhe miq ndërkombëtarë,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës,
Të nderuar prijës fetar,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Mirë se vini në këtë pritje shtetërore të organizuar nga Presidentja, Kryekuvendari dhe unë si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në 16 – vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë. Kështu ndjekim traditën e festimit të ditëlindjes së Republikës sonë demokratike, e cila në këtë të shtunë të datës 17 shkurt të vitit 2024, i mbushi 16 vjet jetë.
Më 17 shkurt të vitit 2008, deputetët e Kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit, të zgjedhur në zgjedhje të lira dhe demokratike, e shpallën Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik me votat dhe nënshkrimet e 109 vetave të cilët firmosën Deklaratën e Pavarësisë, dokumentit themeltar të shtetit tonë.
Atë ditë, mbi pergamenën e kuruar ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, krahas 109 deputetëve u nënshkruan edhe tre krerët e shtetit të saposhpallur të pavarur: Presidenti Fatmir Sejdiu, Kryekuvendari Jakup Krasniqi edhe Kryeministri Hashim Thaçi, i cili edhe e lexoi atë në Kuvend.
Kosova është shteti më i ri në kontinentin e vjetër. Republika e Kosovës është vendi më i ri në hartën politike të Evropës, por edhe njëra nga demokracitë më të shëndosha në zhvillim në tërë kontinentin tonë.
Republika e Kosovës u thirr fillimisht si parullë studentore e popullore në demonstratat e vitit 1981; ajo u deklarua politikisht me Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, para se të shpallej Kosova Republikë më 7 shtator 1990, bashkë me Kushtetutën e saj në kuvendin e Kaçanikut, si një Republikë e cila i shërbeu Kosovës për rezistencë ndaj Serbisë.
Dekada e fundit e shekullit të 20-të, ishte periudhë e rezistencës civile paqësore e drejtuar dhe e ndërkombëtarizuar nga Presidenti Ibrahim Rugova; dekadë e luftës së armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e frymëzuar dhe udhëhequr nga Kryekomandanti Adem Jashari; e mijëra aktivistëve politikë që i kaluan mijëra vite nëpër burgje sikur Adem Demaçi; dhe e lëvizjes studentore të Universitetit të Prishtinës, që mobilizoi vullnetin politik për rezistencë aktive. Janë vite të luftëtarëve dhe dëshmorëve të luftës çlirimtare dhe janë vite të viktimave e martirëve të lirisë. Andaj sot me homazhe dhe nderime i kemi kujtuar që të gjithë ata që kanë dhënë kontributet e tyre për Pavarësinë e Kosovës, por që fizikisht nuk janë mes nesh.
Gjithë këto përpjekje dhe sakrificë për drejtësi; ky vullnet dhe aktivizëm politik për demokraci; kjo luftë çlirimtare me mund, djersë e gjak të derdhur për liri, e arritën kulmin e sfidimit në vitet e luftës 1998-1999. Mijëra civilë u vranë dhe u masakruan mes të cilëve edhe fëmijë, gra dhe pleq; dhjetëra mijëra u dhunuan e qindra mijëra u dëbuan, teksa fshatra e qytete të tëra u dogjën, u shkatërruan dhe u plaçkitën.
E tërë kjo tragjedi, arriti në një pikë ku shtetet aleate të NATO-s, ndërhynë ushtarakisht duke e ndërprerë spastrimin etnik dhe gjenocidin që Serbia po e kryente mbi shqiptarët e Kosovës. Sivjet e shënojmë edhe 26-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe vitin e 25-të të çlirimit të Kosovës.
Sikur në ditët e çlirimit në qershor 1999-të, ashtu edhe në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, sikurse edhe sot në ditëlindjen e 16-të të Republikës sonë të pavarur, Kosovës i kanë qëndruar pranë miq dhe aleatë, që udhëtuan bashkë me ne dhe krah nesh, si në kohë të vështira ashtu edhe në momente festive e përkujtimi porsi sot.
Si dikur më 1999, si atëherë më 2008, si sot më 2024, Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj, bashkë dhe krahas me miq dhe aleatë, amerikanë që ndonëse nga përtej Atlantikut janë afër dhe evropianë të kontinentit tonë të përbashkët.
Me miq dhe aleatë, ne jemi më të fortë dhe më të sigurt.
Bashkë kemi ardhur deri këtu dhe bashkë do të vazhdojmë edhe më tutje, duke përparuar për atje ku jemi nisur: në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike, NATO. Nga 19-të shtete të NATO-s, të cilat ndërhynë ushtarakisht kundër Serbisë, kaluan te 117 shtete që na e njohën pavarësinë.
Vetëm kështu, të fortë me miq dhe aleatë. Kosovë, ne të dalim zot!
Urime Dita e Pavarësisë së Kosovës, në ditëlindjen e saj të 16-të!
Ju faleminderit!
Albin Kurti