Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Flasin qytetarët e pakënaqur me Kurtin: Me mashtrime nuk vihet në pushtet

 
   

Qytetarët e intervistuar janë shprehur të pakënaqur me udhëheqjen e shtetit nga Albin Kurti. Këtë të fundit e quajnë “kryeneç të stilit komunist”.

Disa prej tyre thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka merituar fitoren, ndërsa nuk kursejnë kritikat për gjendje të rëndë në ekonomi e arsim.

Qytetari Fetah Dragusha, thotë për Eo se kryeministri Albin Kurti nuk e ka merituar fitoren për ta udhëhequr shteti. Thotë se ka përçarje ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani.

“Një votë e një atdhetarit është e barabartë me një votë e tradhtarit, nuk fiton gjithherë ai meritori që duhet ta udhëheq shtetin, kështu është edhe me rastin e Albin Kurtit, i cili ka atë zgjuarsinë e vet për mashtrim të elektoratit dhe ka marrë mbi 50 për qind të votave me ndihmën edhe të Vjosa Osmanit. Si duket tani kanë përçarje të dukshme në mes vete. Vjosa e ka diapazonin më të gjerë të njohurive dhe politikëbërës, kurse Albin Kurti është një kryeneç i stilit komunist. Po shihet që ka përçarje dhe në zgjedhjet e ardhshme me siguri do të jenë rival mes vete dhe jo tandem”, thotë Dragusha.

Edhe Bajram Dema konsideron se kryeministri Albin Kurti nuk e ka merituar fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021. Thotë se në pushtet duhet të vihet me punë e drejtësi dhe jo “me mashtrime e gënjeshtra”.

“Asnjëherë nuk është mirë udhëheqësia kryesore me u përça mes vete duhet me gjet mirëkuptim. Nuk janë bashkë në mënyrën e duhur dhe mendoj që pak e ndihmojnë Kosovën. Kurrë nuk e ka merituar fitoren Kurti, me gënjeshtra, me mohime, nuk vihet në pushtet, por vihet me punë dhe me drejtësi e jo me mashtrime. As ekonominë e as arsimin nuk e ka përparuar, derisa ka të moshuar me 100 euro ekonomia nuk mundet me qenë e mirë. Nëse e voton populli le ta shoh hajrin. Kurrë nuk kam pasur shpresa, një njeri që e mohon punën e paraardhësve, nuk besoj që bie diçka mirë, kur e flet realitetin dhe i pranon dështimin dhe të mira prej tij ka pritje të mirë”, thotë Dema.

E Adem Dërguti ka kërkuar që krerët institucional të bëhen bashkë për të zgjidhur çështjet e Kosovës, teksa thotë se keqpërdorimet janë shtuar në masë të madhe.

“Këta duhet të jenë bashkë nuk shkon kështu me këto urrejtje njëri me tjetrin duhet të bëhet bashkë le të zgjidhet çështja e Kosovës, pastaj edhe le të bëjnë çka të duan pasi të zgjedhjet çështja e Kosovës. Por nuk aspak në rregull këto kundërshtime që ekzistojnë në mes vete edhe në bazë të deputetëve edhe liderëve të partive, kjo nuk është në rregull”, thotë Dërguti.

“Ka kundërshtime sepse qëllimi kryesor i tyre është vetëm me të vijnë në pushtet dhe me u marr me keqpërdorime. Atëherë nuk ka pasur keqpërdorime sikurse që ka sot, njerëzit kurrë pa punuar kanë bërë pasuri nuk ia dinë fundit, populli u vetëdijesuar dhe po e dinë se kush merret me punë të mira dhe të këqija”, shtoi Dërguti.