Në fshatin Zemblak të Maliqit, Gjergji Mullalli vrau gruan e tij Luiza Mullalli. Çifti ishte në proces divorci dhe nga muaji nëntor viktima kishte urdhër mbrojtje nga gjykata e Korçës. Pas ngjarjes tragjike babai i së ndjerës, në një deklaratë për mediat u shpreh se autori është një i sëmurë psikik. Ndër të tjera i ati i viktimës tha se policia nuk e kishte arrestuar pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme të vajzës së tij.
“Ishim në shtëpi, më mori djali se e kishte marrë në telefon për të biseduar dhe vajza nuk ja hapte telefonin. Djali më mori në telefon dhe më tha që hajde se nuk e hap telefonin dhe kushedi çfarë ka ndodhur. Erdhëm këtu pastaj, lajmëruam policinë. Kërkuam vërdallë derisa e gjeti policia. E kishin hedhur trupin nga veranda. Vajza ishte një vit me urdhër mbrojtje, e dhunonte vajzën. Një ditë më mori ne telefon çupa dhe më tha që kanë hyrë në shtëpi. I thashë që njofto policinë. E kishte lajmëruar policinë. Divorcin e kishte kërkuar vajza, sepse ai e dhunonte. E dhunonte edhe këtu edhe kur ishin në Greqi. Një rast donte ta mbyste, por çupa i shpëtoi nga duart. Policia e ka thirrur disa herë, por nuk e ka proceduar. Nuk e dimë me ca e ka vrarë, të shohim ca do thonë ata të ekspertizës”, tregoi babai i 46-vjeçares.