Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Flet djali i Isni Kilajt, tregon si u arrestua babai i tij nga Specialja

 
   

Ish kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj është arrestuar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Lajmi është konfirmuar nga djali i Isniut, Blendi Kilaj.

Ai tha se arrestimi i babait të tij ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30.

“Po e konfirmoj arrestimin e babait tim, i cili ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:30”, ka deklaruar djali i Isni Kilajt, Blendi Kilaj.

Ai tutje ka shtuar se që nga ora 18:30 EULEX, kishte shkuar në shtëpinë e tij në Malishevë e deri në arrestimin e babit të tij në orët e vona.

“Bastisjet e EULEX’it, kanë filluar qysh dje pasdite, diku rreth orës 18:30, Policia e Kosovës ka qëndruar jashtë dhe pjesëtar dhe hetues të EULEX’it, kanë qëndruar brenda në bastisje, e deri në arrestimin e babait tim që ndodhi në orët e vonshme”, ka shtuar ai.

Për këtë kanë reaguar edhe Komuna e Malishevës të cilët përmes një postimi në rrjetin social në Facebook kanë shkruar se janë të shqetësuar për arrestimin e ish kryetarit të komunës, Isni Kilaj.

Sipas tyre, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panikë dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve.

“Ne si komunë, besojmë dhe jemi thellë të bindur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka qenë luftë e pastër dhe mbi të gjitha ka qenë luftë çlirimtare, madje lufta e popullit të Kosovës, është lufta më e pastër që ka ndodhur ndonjëherë në histori të njerëzimit”, thuhet në postim.

Tutje nga komuna thonë se Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojnë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim.