I akuzuari Janifer Gashi deklaroi se nuk e kishte qëllim vrasjen e I.G., por vetëm kishte dashur ta largonte nga vetja me arsyetimin se ishte ndjerë i rrezikuar nga tani i ndjeri dhe pesë të tjerë.
Këto deklarime, i akuzuari Janifer Gashi, i bëri në fazën e mbrojtjes të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Gashi tha se ditën kritike kishte qenë duke punuar deri në ora 18:00 dhe me të përfunduar punën kishte shkuar në Bjeshkët e Strellcit që të marrë bletë.
Ai tha se çdo herë kur nisej për bjeshkë, mbante me vete revolen, e që edhe atë natë e kishte me vete.
Atë natë, i akuzuari tha se e kishte thirrë Agim Gashi në telefon për ta pyetur nëse dëshironte të bashkohej në prerje të kurbanit me të tjerët dhe i kishte thënë të fliste me Fetë Gashin rreth çmimit dhe të tjerave.
Pas kësaj, i akuzuari thotë se e kishte telefonuar Fetë Gashin, por aty i ishte përgjigjur tani i ndjeri I.G. Megjithatë, i akuzuari thotë se bisedën e kishte vazhduar duke menduar se ishte Feta.
Sipas të akuzuarit Gashi, tani i ndjeri e kishte sharë dhe më pas e kishte mbyllur telefonin.
“Më ka thënë ‘ta q***a grun more kopil’ dhe pastaj ma ka ndërpre telefonin dhe menjëherë e kam thirrë prapë Fetën, e ka çelë Feta dhe m’u ka përgjigj ‘hajde Gash’ dhe pastaj më të kam biseduar veç rreth kurbanit, ma ka kallxu çmimin dhe jo diçka tjetër”, tha i akuzuari.
Me t’u kthyer në shtëpi, ai thotë se kishte dalë prapë që në rast se e sheh Fetën, të merrej vesh për kurbanin të cilin kanë biseduar më herët.
I akuzuari thotë se doli me veturën e tij dhe duke kaluar rreth dyqaneve të fshatit, i kishte parë të ulur në tavolinë tani të ndjerin I., si dhe personat Flakrimin, Fetën, Zekën dhe Denisin.
Gashi deklaroi se kur është afruar aty, të gjithë kishin filluar të qeshnin me të.
“Ju kom drejtu afër tavolinës dhe i kam thënë I., pse po e çelë telefonin e huaj, të thirra ty apo e thirra Fetën. I., më tha se ‘nuk e çela unë po i biri i Bashkimit’, dule aluduar tek Flakrimi dhe i thash pse po shan në telefon dhe në atë moment është ngritë Denisi e ka shti dorën në çantë”, tha i akuzuari Gashi.
Sipas tij, me t’u ngritur Denisi, janë ngritur edhe Lirimi dhe Feta. Sipas tij, tani i ndjeri e kishte kapur tavolinën me dorë për ta larguar e të dilte tek ai (i akuzuari) dhe në atë moment thotë se e nxori revolen dhe e repetiti me qëllim që t’i largonte e mos t’i linte t’i afroheshin.
“Kam mendu me i largu mos me i lanë m’u afru, ose ose sendin më të vogël me i plagosë ose diçka se menjëherë këta janë çu me thika e sende, 1 milion për qind e ka pas edhe revolen me vete Denisi, e mban rregullisht 16-shen e Bajramit”, tha i akuzuari.
Gashi thekson se nga frika dhe në vetëmbrojtje ka reaguar në atë mënyrë.
“Prej frike në vetëmbrojtje kam reagu në këtë mënyrë, s’e kam pas qëllim me vra, sepse me pa dashtë me vra, kam pas mundësi me goditë në kry apo në gjoks, mirëpo nuk kam pasur qëllim me lëndu diçka më tepër sepse i kam pas afër”, shtoi ai.
I akuzuari tha se pasi që e ka ndier veten të rrezikuar, e ka nxjerrë edhe armën me arsyetimin se ka qenë i detyruar pasi që përballë tij kishin qenë 6 persona dhe ai i vetëm.
Sipas të akuzuarit, ky kishte qenë një plan i përgatitur, ku e kanë thirrë që ta vrasin, rrahin apo diçka të tillë.
Në ato momente, para dhe pasi që ka shtënë me armë, i akuzuari thotë se Denisi dhe Flakrimi kishin pasur thika në dorë, të cilët me duar ngritur kishin qenë para tij.
“Unë kur kam gjuajtur jam mundu me gjuajt poshtë këmbëve se kam qenë aq afër sa kom mujt me gjuajt në gjoks apo në kokë, mirëpo nuk ka qenë qëllimi me e vra, por me largu”, tha i akuzuari Gashi.
Sipas tij, pasi që ishte rrëzuar i ndjeri ai më nuk ka vazhduar të gjuajë, mirëpo ishte larguar nga aty.
Ai tha se më herët kishin pasur një problem, mirëpo që sipas tij e kishin mbyllur, Megjithatë, thotë se tani i ndjeri nuk e kishite lënë të qetë duke kërkuar nga ai të mos merrej me të më.
Pas dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Gashi, seanca për dhënien e fjalës përfundimtare është shtyer pasi që mbrojtjes dhe Prokurorisë i duhet kohë për përgatitjen e saj.
Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës më 13 mars 2023, po e ngarkon të akuzuarin Janifer Gashi, që më 28 qershor 2022, rreth orës 21:04 min, në fshatin Kryshec, Komuna e Pejës, para lokalit “Shelnja” për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit I.G, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin I.G, si dhe me ç’rast me dashje i shkakton lëndim të lehtë trupor të dëmtuarit F.G. dhe po ashtu me dashje ka rrezikuar edhe jetën e tani të dëmtuarve Z.G., D.G., L.G. dhe F. G.
Sipas aktakuzës, thuhet se me këtë ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 173, pika 1.5 të KPRK-së si dhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185, par.2 lidhur me par.1, pika 1.1 të KPRK-së.
Gjithashtu në dispozitivin e tretë, i akuzuari Gashi ngarkohet se në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me Ligjin mbi armë, ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një pistoletë së bashku me një karikator dhe shtatë fishekë, me të cilën armë ditën kritike kishte shtënë pesë herë në drejtim të tani të ndjerit I.G.
Me këtë rast, thuhet i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të KPRK-së.