Fletushkat e shpërndara në veri të vendit të nënshkruara nga “Mbrojtja Popullore”, përmbajnë udhëzime të supozuara për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës.
Në fletushka, ndër të tjera, thuhet se Policia e Kosovës duhet të qëllohet me ndonjë mjet, të pështyhen pjesëtarët policorë e të ofendohen. Pastaj, të thyhen makinat policore me ndonjë mjet si dhe jepen instruksione si të bëhen koktej molotovi dhe të ngjashme.
Policia bëri të ditur se fletushkat u shpërndanë në hyrje të ndërtesave dhe në rrugë të ndryshme. Të njëjtat u shpërndanë edhe në rrjetin social, Telegram.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se Policia është duke punuar për ndriçimin e rastit.
“Policia ka hapur rast për grafitet në ndërtesa të ndryshme në veri, ato kanë qenë për nxitje të urrejtjes ndërsa për fletushka kemi haqë rast për thirrje në rezistencë dhe gjuhë të urrejtjes . S’kemi të dyshimit e të arrestuar por policia është duke punuar në drejtim të ndriçimit të rastit”.
Duke folur për thirrjet për rezistencë ndaj Policisë së Kosovës, zëvëndëskryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe të mbrojtjes, nga radhët e Vetëvendosjes, Enver Dugolli thotë për rtv21 se grupet ekstremiste serbe vazhdimisht po tentojnë ta destabilizojnë Kosovën.
“Po tentojnë që të kërcënojnë paqen dhe sigurinë dhe po tentojnë në mënyra të frikësimit të zhvillojnë aktivitetet e tyre apo ta mbajnë situatën e tensionuar, institucionet janë në krye të detyrës dhe do të marrin të gjitha veprimet…”, tha Enver Dugolli.
Njohësi i Sigurisë, Nuredin Ibishi, ndërkaq vlerëson se thirrjet për rezistencë të qytetarëve serbë ndaj Policisë së Kosovës tregojnë se Serbia që me çdo kusht dëshiron të ngrisë tensione në veri të vendit.
krejt këto janë formë artificiale e Serbisë që po tenton me çdo kush të ngrisë tensione në veri …….”, tha Nuredin Ibishi.
Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe ndërkaq u bëri thirrje qytetarëve në veri që “të mos bien pre e provokimeve të tilla”.
Sipas kësaj partie, kushdo që i ka bërë këto veprime, ka pasur për synim të minojë paqen dhe të thellojë paqëndrueshmërinë “në mënyrë që serbët të fajësohen për incidente të reja të mundshme”.
Në Mitrovicë të Veriut më 12 shkurt serbët protestuan kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.