Sot në orën 18:00 në objektin e qeverisë së Kosovës, nga kryeparlamentari, Glauk Konjufca dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu bëhet hapja e ‘Paradës së Krenarisë’ java e komunitetit LGBTIQ+.
E në lidhje me këtë, deputeti i partisë në pushtet Eman Rrahmani, ka thënë se nuk ka asnjë koment.
Madje ai ka reaguar me nervozë kur është pyetur se cili është mendimi i tij si deputet i Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë çështje.
“Asnjë koment nuk e kam, merri ata për komente, ata të cilët po e organizojnë e po e mbështesin. I kom deklarimet unë publike në lidhje me këtë çështje… Qëndrimet e mia i kam jep, për veprime të tyre të japin ata zotërinjtë… Si deputet i Kuvendit të Kosovës kam dhënë deklarimet për këtë çështje ndërsa për organizime pyetni organizatorët”, ka thënë shkurt, Rrahmani.
Ndryshe Rrahmani është njëri nga deputetët më të zëshëm që e kundërshton çdo mbështetje nga ana e pushtetit në lidhje me këtë komunitet e së fundmi po kundërshton fuqishëm edhe kodin civil ku parashihet edhe neni për martesën në mes të gjinive të njëjta.
Ka tashmë disa vite që parada e krenarisë niset në objektin e qeverisë së Kosovës, madje protestës të këtij komuniteti në javën e tyre që shënohet në muajin qershor i ishte bashkuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.