Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fluturime me helikopterë dhe lëvizje të automjeteve ushtarake, KFOR-i do të kryej stërvitje në disa prej komunave

Trupat e KFOR-it të komandës rajonale Perëndimi (RC-W), do të zhvillojnë një stërvitje ushtarake në pjesën perëndimore të Kosovës nga data 04 deri më 06 korrik 2023.

Sipas njoftimit për media thuhet se aktiviteti stërvitor do të kryhet nga kontingjenti shumëkombësh RC-W dhe do të përmirësojë gatishmërinë dhe përgatitjen e njësive.

“Ushtarët dhe automjetet e KFOR-it do të vendosen në komunat e Istogut, Shtërpcës, Mamushës, Deçanit, Gjakovës, Dragashit, Hanit të Elezit dhe Kaçanikut.

Aktivitetet stërvitore do të përfshijnë lëvizje tokësore ditën dhe natën, si dh fluturime me helikopterë mbi komunat e Gjakovës, Shtërpcës dhe Mamushës”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Karvanët e mjeteve të rënda do të kalojnë tranzit përgjatë rrugëve kryesore dhe dytësore brenda rajonit.

“KFOR-i kryen ushtrime të tilla rutinë për qëllime provash dhe trajnimi për të ofruar një përgjigje në kohë dhe të sigurt. KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile dhe të kufizojë çdo ndërprerje të aktiviteteve komerciale. KFOR-i është i përqendruar çdo ditë në zbatimin e mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, në të mirë të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.