Fjalimi i presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, është mirëpritur nga deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Begaj në fjalimin e tij kërkoi që të respektohen të drejtat e shqiptarëve në Luginë, ashtu siç respektohen të drejtat e serbëve në Kosovë.
“Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon”, u shpreh Begaj gjatë fjalimit të tij.
E, ky fjalim u mirëprit nga deputeti Shaip Kamberi, i cili edhe e falënderoi publikisht presidentin Begaj, duke shpërndarë fjalimin e tij në rrjetin social Facebook.
“Faleminderit President”, thotë Kamberi.
Gjithashtu, edhe Ardita Sinani ka mirëpritur fjalimin e presidentit të Shqipërisë.
“Presidenti i Shqipërisë, SH.T. Bajram Begaj, në fjalimin e tij në Asamblenë e përgjithshme të OKB-së në New York, ndër të tjera foli edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Presidenti Begaj në fjalim shprehu shqetësimin e tij dhe të shtetit shqiptar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë dhe mungesën e investimeve në këtë rajon. Ai bëri thirrje për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi në nivelin e të drejtave të serbëve në Republikën e Kosovës, të cilat reflektojnë normat evropiane. Faleminderit President”, ka thënë Sinani.
Ndryshe, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Begaj kërkoi që në këtë proces të njihen kontributet që kanë dhënë Shqipëria dhe Kosova për të shuar tensionet dhe konfliktet në rajon.
“Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë. Shpresojmë të njihen kontributet tona dhe të mos lejojmë që përpjekjet që bëjmë të errësohen nga qasjet negative. Në këtë kontekst, Shqipëria mbështet dialogun e vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ai.
Begaj gjithashtu ka ftuar shtetet që ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës ta bëjnë atë.