Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Fondi 3 %”, dështon për herë të katërt gjykimi ndaj Bujar Bukoshit

 
   

Ka dështuar për herë të katërt nisja e gjykimit ndaj ish-kryeministri kosovar Bujar Bukoshit, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Lidhur me mungesën e tij, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi palët në procedurë se kishte lëshuar urdhërarrest për ta sjellë atë në gjykatë.

Sipas tij, Policia nuk e kishte gjetur të akuzuarin në adresën e dhënë, raporton Betimi për Drejtësi.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Dafina Osmani, e cila po e përfaqëson me autorizim avokatin Besnik Berisha, tha se klienti i saj është në regjim shtrati dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.

Ajo shtoi se bashkëshortja e të akuzuarit e ka informuar mbrojtjen se policia kishte shkuar në shtëpinë e tyre dhe ata e kishin parë që i akuzuari ishte në regjim shtrati për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke kërkuar që Gjykata të korrigjojë këtë informacion.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër Bujar Bukoshit për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër Atdhe Gashit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.

Sipas PSRK-së, thuhet se Bujar Bukoshi gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.