Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”, Presidenca thotë se vetëm është shtyrë, përmendet pranvera 2024

Të premten në media është raportuar se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka anuluar Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë pas zhvillimeve të fundit të cilat ndërlidhen me situatën e sigurisë në vend.

Megjithatë për një raportim të tillë kanë reaguar nga zyra e Presidencës, duke thënë se nuk është e vërtetë që është anuluar Forumi në fjalë, por vetëm është shtyrë.

Zëvendësshefja e stafit të Presidentes, Learta Hollaj, ka thënë se forumi është shtyrë për disa muaj.

“Ky është keqinformim. Forumi ndërkombëtar WPS nuk është anuluar, thjeshtë është shtyrë për ca muaj. Duhet të keni besim se vendimi është shqyrtuar me kujdes dhe është diskutuar me partnerët. Për interesin tuaj, mbi 100 folës ndërkombëtarë janë në pritje të datave të reja”, ka shkruar Hollaj nga zyra e Presidentes Osmani.

Në reagimin e Hollajt ka komentuar Doris Pack, e cila ka thënë se kupton plotësisht shtyrjen e këtij organizimi dhe pret për të marrë pjesë në të në pranverën e vitit 2024.

“E kuptoj plotësisht shtyrjen dhe pres me padurim konferencën në pranverën e vitit 2024”, ka shkruar Doris Pack.