“5Pyetjet.al” publikon foton e ish-gardistit Martin Nikolli, i cili qëlloi me armë zjarri në ajër paraditen e djeshme në konfliktin që ndodhi në fshatin Hamallaj të Durrësit, pasi u përfshi në konflikt me familjen Kaçi.
Tre persona ngelën të plagosur si pasojë e dhunës. Nikolli, që ishte në detyrë si shofer zëvendësues i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla u përjashtua fillimisht nga Garda e Republikës dhe më pas u arrestua. Së bashku me Martinin, u arrestua edhe vëllai i tij për ngjarjen.
Në dëshminë e parë që ka dhënë në polici pas arrestimit, Martin Nikolli është justifikuar duke deklaruar se konfliktin e nisi pala tjetër dhe se qëlloi në ajër për të trembur familjen Kaçi.
“Erdhi babai i palës tjetër dhe na ofendoi. Konflikti ka nisur në fillim nga ana e tyre. Më pas gjërat u përkeqësuan dhe nisi konflikti më i rëndë. Në fund kam qëlluar me armë në ajër. Qëllimi ka qenë për të ndaluar sherrin dhe konfliktin që kishte nisur.
Nxora armën për të qëlluar në momentin që sherri po degradonte deri në përdorim të sendeve dhe objekteve të forta”, mësohet të jetë shprehur para grupit hetimor ish-gardisti Martin Nikolla.