“Na kërcënoi se do të na vriste”, ka dëshmuar në polici Marsela Pushani, e cila dyshohet se masakroi me thikë të motrën, mesditën e së shtunës (2 shtator) në banesën ku jetonin në kryeqytet.
Sipas autores së dyshuar e motra ishte e alkoolizuar prej 10 vitesh dhe problematike.
Ajo tregoi se në momentin kur ndodhi krimi, viktima Amanda Pushani e kishte kërcënuar me jetë atë dhe nënën e saj, duke theksuar se veproi në kushtet e vetë mbrojtjes.
“Veprova në kushtet e vetëmbrojtjes, na kërcënoi se do na vriste. Prej më shumë se 10 vitesh motra Amanda Pushani ishte e alkoolizuar dhe problematike. Debatuam me të që të linte alkoolin, Amanda më kërcënoi mua dhe mamanë”, ka thënë 40-vjeçarja kur është marrë në pyetje nga policia, sipas News24.
Si u tentua të fshihej ngjarja
Familjarët e viktimës, Armanda Pushani, sipas uniformave blu, e kanë raportuar vdekjen e saj si natyrale, por pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se 37 vjeçarja ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një thikë.
Pas hetimeve u zbulua se autore e dyshuar ishte e motra, Marsela Pushani. 40-vjeçarja është vendosur në prangat e policisë dhe akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Policia ka shoqëruar të afërm të viktimës për t’u marrë në pyetje dhe praprakisht dyshohet se krimi ka ndodhur pas një sherri mes tyre.