Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një njoftimi të bërë ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe të mërkurën e 14 qershorit.
Franca gjithashtu i ka bërë thirrje edhe Kosovës që të angazhohet pa vonesa për daljen nga kriza, ndërsa kërkojnë nga Prishtina e Beogradi të tregojnë përgjegjësi për t’u rikthyer te dialogu.
“Franca mirëpret lirimin e tre policëve kosovarë pas vendimit të gjykatës në Kralevë(Serbi). Ky është një hap i parë i rëndësishëm drejt uljes së tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“I bëjmë thirrje edhe autoriteteve të Kosovës që të angazhohen pa vonesë në këtë perspektivë, sipas parametrave për daljen nga kriza të vendosura nga Bashkimi Evropian, të cilat mbeten të vlefshme. Është më thelbësore se kurrë që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përgjegjësi duke u rikthyer në tryezën e bisedimeve të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e MPJ-së të Francës.