
Agjencia Kadastrale, është dënuar me 3 mijë euro gjobë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Kjo agjenci nuk i ka dhënë qasje organizatës AVONET, në dokumentet që ka kërkuar lidhur me një tender.
“Obligohet Agjencia Kadastrale e Kosovës që shumën prej €3,000.00 (tremijë eurosh) ta paguajë, në afat prej 30 ditësh, në xhirollogarinë e autoritetit kompetent për shqiptimin e gjobës nr. 1000400070005127/Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.Me kalimin e afatit të përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi, i njëjti kthehet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga përmbaruesi privat”, thuhet në vendim.
Rrjeti i OJQ-ve AVONET, me anë të një reagimi ka shprehur shqetësim lidhur me sjelljen jotransparente dhe të kundërligjshme të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, e cila, përkundër obligimeve ligjore, ka refuzuar të ofrojë qasje në dokumente publike që lidhen drejtpërdrejt me shpenzimin e parasë publike.
“Së fundmi, Agjencia për Informim dhe Privatësi ka shqiptuar një gjobë ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për arsye se kjo e fundit, përmes heshtjes administrative, ka refuzuar të përgjigjet ndaj kërkesës së AVONET për qasje në dokumentet publike, veprim ky që përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike. Ky veprim i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së përgjegjësisë institucionale dhe garantimit të së drejtës së qytetarëve për informim, veçanërisht kur bëhet fjalë për prokurimin publik dhe shpenzimin e parasë së taksapaguesve”, thuhet në reagim.
Avonet kishte ushtruar ndaj Agjencisë Kadastrale të Kosovës, për kufizim të qasjes në një pjesë të dokumenteve [pjesë përbërëse të ofertave të operatorëve ekonomikë dhe komunikimet zyrtare përkatëse lidhur me aktivitetin e prokurimit ‘Analizimi, korrigjimi dhe futja në sistemin zyrtar kadastral të e-laboratorëve të shpronësimiť’], të përmendur në pikën 2 të dispozitivit të vendimit të datës 10 dhjetor 2024.