Deri tani, asnjë nga komentatorët apo analistët si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë, nuk ka arritur t’i japë një përgjigje të saktë pyetjes se pse Edi Rama i fut kaq shumë hundët në punët e Kosovës. Çfarë realisht e shqetëson atë?
Gërr-vërret e kryeministrit të Shqipërisë me Albin Kurtin, provokimet e njëpasnjëshme, mungesa e një politese e respekti për Republikën e Kosovës ka acaruar shumë njerëz në Kosovë. Aq sa në sondazhin e zhvilluar më shumë se 88% e pjesëmarrësve fajësuan Edi Ramën për lëndimin që po i bën Kosovës.
Dhe në të vërtetë, ajo që po bën Rama prej disa kohësh, që nga propozimi i një drafti për Asocacionin e Komunave Serbe, deklaratat pa lidhje me Oso Kukën, diversioni i politikës së Kosovës, duke joshur Vjosa Osmanin, për të cilën s’kanë lënë gjë pa thënë njerëzit e tij në media, nuk është gjë tjetër veçse një lëndim i rëndë i Kosovës nga Shqipëria.
Madje mund të thuash se është një thikë e pastër e rrotulluar në plagën e hapur, pas trazirave në veriun e Kosovës.
Për kryeministrin e Shqipërisë, ka pasur më shumë se një këshillë nga njerëz publikë të Kosovës, duke nisur që nga Veton Surroi, i cili në një shkrim të tijin, shtroi me qetësi dhe me argumente, idenë se një kryeministër i Shqipërisë duhet t’i qëndrojë në krah Kosovës, e jo të përplaset me të në arenën ndërkombëtare.
Objeksionet, kritikat, apo edhe mendimet kundërshtuese, palët le t’i bëjnë në takime të mbyllura, konferenca online apo sesione ku përplasen mendimet. Dhe mirë është që kontakte të tilla të ketë sa më shumë.
Konsultimet e diskutimet, qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës i kanë shumë më të rralla se web konferencat që Partia Socialiste në Tiranë zhvillon me seksionet periferike apo trajnimet me AK-në e Rexhep Tajip Erdoganit për forma edukimi.
Në të vërtetë, gjithë ky hiperaktivitet i Edi Ramës për të bërë betejë politike me Albinin, ngjall natyrshëm një mori pyetjesh, se nën të fshihet një gjë krejt tjetër nga ajo që ne shohim publikisht.
Nëse Rama kërkon që të konsultohet për Samitin e Tetorit, ka tre muaj para, e nëse nuk i vjen Albin Kurti në Tiranë, është Vjosa Osmani. Albini nuk erdhi as në Samitin e BE-së me Ballkanin që u zhvillua dhjetorin e shkuar. Pasi natyrshëm nuk donte t’i prishte lajmin e Edi Ramës e të ishte vetë lajmi në deklaratat polemizuese me Aleksandër Vuçiç.
Albini bën lajm sepse ka një kauzë politike të qartë, për të cilën ka vendosur që të mos bëjë kompromis. Madje edhe me koston e përplasjes me kancelaritë ndërkombëtare, gjë që në vetvete në fakt nuk është gjë e mirë. Por ky është Albini. Ndërkaq, Edi Rama, duket se ka një siklet të madh që endet si ‘p*rdha nëpër brekë’ në banaqet televizive të kryeqyteteve të katundit ballkanik.
Sipas të gjitha gjasave, ai është në një siklet të madh, që duket e pret së shpejti, që nga hetimet e nivelit të lartë të SPAK, e deri tek skandalet që mund t’i shpërthejnë gjatë procesit McGonigal në Uashington e Nju Jork.
Rama duket hapur që është në siklet, e si çdo lider në këtë situatë bën lëvizje të dëshpëruara, duke u treguar hipeaktiv, e duke futur hundët në Kosovë. Të gjithë e mbajnë mend Hashim Thaçin përpara se të arrestohej: rendte studio më studio, nga Tirana në Prishtinë e vërviste deklarata e sulme, duke i çuditur të gjithë. Dhe dukej hapur se ishte në siklet, gjë që ndodhi. Po ashtu mbajnë mend Sali Berishën që në vitin 1996 tentoi të futej në politikën e Kosovës për të rrëzuar Ibrahim Rugovën e për ta zëvendësuar me Adem Demaçin.
Ashtu edhe Rama, kur ka një mijë punë në vendin e vet, ku problemet janë shumë të mëdha, që nga korrupsioni e mafia që godet barbarisht shumë pranë Tiranës, defiçiti i tmerrshëm që po falimenton arkën e shtetit etj, ai bën si lider global.
Po çfarë fiton Shqipëria nga këto ecejake, qoftë edhe elokuente alla reality show? Asgjë!
Asnjë prej këtyre takimeve nuk jep as bukë, as siguri dhe as asgjë për njerëzit. Shqipëria nuk është as SHBA, as Gjermania apo BE që me politikën e tyre globale rrisin tregjet e korporatave të tyre. Ne nuk prodhojmë asgjë, edhe ato pak produkte bujqësore, qeveria e Edi Ramës i ka lënë në mëshirë të fatit, duke shkaktuar trauma të mëdha, siç ndodhi me prodhuesit e grurit këtë vit. Të cilëve vjet u tha të rrisnin prodhimin kur ishte çmimi i lartë, e sot i ka lënë në mëshirë të fatit kur është ulur çmimi dhe fermerët janë në prag të falimentit.
U duk një vit më parë, kur u firmos marrëveshja e grurit mes Rusisë dhe Ukrainës, se ai çmim i vjetshëm nuk do të rrinte në atë stad. Madje marrëveshjen e sponsorizoi kardashi i Ramës, sulltani i Ankarasë. Po ministria e Bujqësisë as nuk e çau kokën për të përgatitur bujqit se çmimi do të ulej sërish. Këto bën një qeveri normalisht çdo ditë, se pikërisht për këtë është zgjedhur. E Rama cytet me Albinin si Shaban Qosja i famshëm i Tiranës…
Megjithatë, ka edhe më shumë se një dëshirë për vëmendje. Edi Rama e di mirë, nga këshilltarët e tij të huaj, se Albin Kurti sipas të gjitha gjasave do të jetë varrëmihësi i tij politik, siç ka bërë me Hashim Thaçin. Një konflikt i mundshëm në veri të Kosovës, çka parashikohet nga të gjitha agjencitë inteligjente perëndimore, do ta polarizojë logjikshëm situatën.
Si Kosova, ashtu edhe Albin Kurti, nuk se janë të shqetësuar për këtë pikë, por nga ana tjetër edhe opinioni publik, i cili në shumicë është i gatshëm që të mos lëshojë asnjë copë tokë nga veriu i Kosovës, të mos japin Trepçën, e të mos japin autonomi të zgjeruar për komunat e veriut. E në këtë rezistencë natyrisht fiton ai që nuk thyhet kollaj, por i qëndron deri në fund parimeve të veta.
E këtu, urrejtja ndaj Edi Ramës, do të rritej si vullkan, jo vetëm në Kosovë e treva, por edhe në Shqipëri. Albinit do t’i mjaftonte të përkrahë këdo aktor politik në Shqipëri, a të lindte ndonjë opozitë të re të ngjashme me Vetëvendosjen, e Tirana do të ndizej në protesta. Të cilët nuk do të përfundonin deri sa t’i tregonin vendin vëllait të Vuçiçit. Këtë e di shumë mirë Edi Rama, i cili në Prishtinë humbi dy herë. Mori refuzimin e kryeministrit të Kosovës, dhe urrejtjen e opinionit publik. Nuk mund ta ndihmojë as Vuçiç më, nëse përdor kinse deklarata të ashpra ndaj mikut të vet nga Tirana./Pamfleti