Ani pse ka kaluar një dekadë prej kur kishte filluar provimi i zbatimit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) në Kosovë, ende nuk është funksionalizuar. Mungesa e SISh-it po konsiderohet se është shkaktar i shumë vështirësive për pacientët, personelin shëndetësor dhe po pengon në ecjen përpara të procesit për sigurimet shëndetësore. Pacientët duhet të bartin me vete çdo dokument mjekësor në vizitat shëndetësore, të cilat tregojnë për gjendjen e tyre shëndetësore.
Sistemi Informativ Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.
Njohësi i politikave shëndetësore dhe njëkohësisht zëvendësdrejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Bujar Gashi, vlerëson se ky sistem është jetik për një shëndetësi kualitative.
Derisa për kryetarin e Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve, Besim Kodra, SISh-i është “thembra e Akilit” në shëndetësi.
Ndërkaq, dështimin për funksionalizmin e SISh-it, opozita ia atribuon ministrit aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Zëvendësdrejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi në thotë për KosovaPress, thotë se mungesa e këtij sistemi po i vështirëson punën personelit shëndetësor dhe pacientëve, për çka potencon se nuk po pengon edhe në nxjerrjen e statistikave e hulumtimeve.
Gashi: SISh-i jetik për një shëndetësi kualitative
“Është jetik, jo i nevojshëm Sistemi Informativ Shëndetësor sepse nuk mundesh të kesh një shëndetësi kualitative, në kohë dhe të qasshme pa sistem të informimit shëndetësor. As nuk mund të nxjerrësh të dhëna, statistika, as nuk mund të bësh hulumtime, audite sepse nuk ke të dhëna…I bëjmë si në kohën e gurit, duhet t’i nxjerrësh punëtoret tanë që punojnë në kryeqytet janë të mbingarkuar dyfish. Infermierët në sportel punojnë me sistem informativ shëndetësor, i fusin të dhënat kur funksionon sistemi, të njëjtën janë të obliguara ta bëjnë në protokoll. Një pacientë shënohet në 3-4 protokolle siç është procesi dhe ka mundur të kryhet vetëm me atë sistem në kompjuter…Sistemi ta lehtëson punën nëse funksionon si tërësi, nëse funksionon kështu veç e vështirëson…Kur sistemi informativ shëndetësor është i lidhur, kujdesi parësor, dytësor dhe tretësor, kur pacienti nuk do të ketë nevojë ta marrë një letër në dorë, e prej këtu të shkojë në spital ose diku tjetër”, thotë Gashi.
Po ashtu, edhe kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra thekson se mos funksionalizimi i SISh-it, po bëhet me qëllim, ngaqë sipas tij “vë në dritë shumë gjëra”.
Kodra thotë se mungesa e këtij sistemi sjell mjegull në shëndetësi, që sipas tij, po shfrytëzohet mjaftë mirë nga grupet mafioze.
Kodra: Sistemi Informativ Shëndetësor është thembra e Akilit në shëndetësi
“Sistemi informativ shëndetësor është thembra e Akilit në shëndetësi, mirëpo ka një farë investimi të grupeve kushtimisht mafioze që gjërat mos të ecin përpara, për shkak se ky sistem shumë gjëra i vë në dritë, dhe ekziston një tendencë e të gjitha politikave që sistemi informativ shëndetësor të mos bëhet. Ka pasur një lëvizje më herët, është kthyer krejt në pikën mbrapa, ka vazhduar me një sistem tjetër. Tani prapë po tentohet të kthehet në sistemin informativ, gjithsesi po ikin mandatet dhe SISh-i nuk po bëhet. Përderisa nuk e kemi sistemin informativ, e kemi një mjegull në shëndetësi, e kjo mjegull shfrytëzohet shumë mirë prej grupeve mafioze”, thekson Kodra.
Derisa, për të përmirësuar shërbimin shëndetësor ndaj pacientëve, në vitin 2011, Ministria e Shëndetësisë (MSH), ka provuar fillimin e zbatimit të këtij sistemi në tri faza.
Përfshimi i pilotimit dhe implementimit të sistemit në 30 për qind të territorit të vendit dhe vlerësimin e pilotimit në fund të vitit 2014, planifikohej të bëhej në dy fazat e para.
Ndërkaq, faza e tretë përfshinte implementimin e sistemit në gjithë territorin e vendit.
Por, pavarësisht kësaj, ende nuk është arritur të bëhet zgjidhje.
Për këtë ka folur, edhe anëtar i Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu. Ai thotë se mosfunksionalizimi i SISh-it, është një dështim total i qeverisë.
Sipas tij, me këtë dinamikë, nuk pritet që të ketë sigurime shëndetësore në Kosovë deri në vitin 2030.
Haxhiu: Mungesa e SISh-it, dështim total i qeverisë
“Zotri Vitia po thotë se është në fazën e studimit të fizibilitetit për Sistemin e Informimit Shëndetësor, derisa në tri vitet e fundit ne e kemi pa se miliona euro të cilat kanë qenë të planifikuara për Sistemin e Informimit Shëndetësor dhe kanë shkuar në suficif, nuk janë shpenzuar ato mjete. Ne për fat të keq nuk kemi Sistem të Informimit Shëndetësor, si parakusht për të filluar pastaj me sigurimet shëndetësore…Është një dështim total i kësaj ministrie dhe i kësaj qeverie sa i përket edhe Sistemit të Informimit Shëndetësor por edhe vetë sigurimeve shëndetësore. Sipas kësaj dinamike, nuk pritet që të ketë sigurime shëndetësore në Kosovë të ketë deri në vitin 2030”, potencon Haxhiu.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje me shkrim për KosovaPress thotë se është hartuar plani strategjik për SISh-in, i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës.
MSh thekson se pasi të bëhet miratimi i këtij plani, do të vazhdohet me projektet që janë të planifikuara në strategji.
“Ju njoftojmë se Ministria e Shëndetësisë ka bërë Studimin e Fizibilitetit për Sistemin e Informimit Shëndetësor dhe konform Raportit të Fizibilitetit në vitin 2023 është hartuar Plani Strategjik për SISH, i cili është dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës. Pasi që të bëhet miratimi i Planit Strategjik të SISh-it, do të vazhdohet me projektet që janë të planifikuara në strategji”, thuhet në përgjigjen e tyre.