Futet në izolim të plotë fshati Bibaj i Ferizajt pas konfirmimit të rastit me koronavirus

Katër raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Kosovë, duke bërë që numri i të prekurve në vendin tonë të arrijë në 28.

Një rast, siç ka konfirmuar IKSHP vjen nga fshati Bibaj i Ferizajt, teksa dy raste janë nga Prishtina e një nga Gjakova, shkruan lajmi.net.

E fshati Bibaj tashmë është në karantinë. Kjo është konfirmuar përmes një njoftimi nga komuna e Ferizajt.

Ata kanë thënë se ky fshat tashmë është në izolim të plotë, teksa i njëjti rast është duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Njoftimi i plotë nga komuna e Ferizajt:

Një ferizajas i infektuar me CoronaVirus, ta ruajmë qetësinë, izolohet Bibaj

Nga njoftimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, një qytetar nga Ferizaj, me vendbanim në fshatin Bibaj, i moshës 32 vjeçe i ardhur nga Gjermania, është konfirmuar i prekur nga virusi COVID-19 apo i njohur si CoronaVirus-i.

Nga burimet tona,rasti po trajtohet në Klinikën Infektive të QKUK-së. Tashmë fshati Bibaj është vendosur në karantinë, në izolim të plotë andaj ftojmë qytetarët që të ruajnë qetësinë por njëkohësisht të qëndrojnë në shtëpitë e tyre për t’iu shmangur përhapjes më të madhe të këtij virusi. /Lajmi.net/