Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Shëndetësia

Fyti i acaruar, trajtimet më të mira dhe të shpejta në kushtet e shtëpisë

Acarimi i fytit vjen si pasojë e një inflamacioni të dhimbshëm që shkaktohet nga një infeksion bakterial ose virusesh.

Ky problem ndodh kryesisht në stinën e dimrit.

Ai mund të trajtohet me antibiotikë por edhe nëpërmjet disa kurave krejt natyrale që funksionojnë me të vërtetë.

Acarimi i fytit mund të zgjasë 7 deri në 10 ditë.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të zbuloni disa prej kurave më të mira natyrale kundër acarimit të fytit.

Çaji me mjaltë dhe limon

Hidhni një gotë me ujë në një tenxhere të vogël. Shtoni dy lugë çaji me mjaltë dhe ngroheni në një temperaturë mesatare.

Më pas shtoni një lugë çaji me lëng të freskët limoni.

Përziejini mirë dhe pijeni çajin të ngrohtë.

Të gjithë përbërësit qetësojnë fytin dhe shpërbëjnë sekrecionet.

Qumësht me kanellë

Në një tenxhere të vogël përzieni një gjysmë luge çaji me kanellë pluhur dhe një lugë gjelle me sheqer.

Shtoni një majë luge me sodë bukë, një gotë me qumësht dhe përziejini mirë me njëra tjetrën.

Qumështi duhet ngrohur në temperaturë mesatare por nuk duhet lejuar të ziejë.

Hiqeni nga zjarri dhe pasi të jetë ftohur pak shtoni një lugë gjelle me mjaltë.

Pasi të jetë shkrirë mjalti, pijeni menjëherë.

Uthulla e mollës

Përzieni një gotë me ujë të ngrohtë me një lugë gjelle me mjaltë dhe një lugë gjelle me uthull molle.

Këtë tretësirë mund ta pini si çaj.

Për gargarë mund të përzieni dy lugë gjelle me uthull me pak kripë dhe një gjysëm gote me ujë të ngrohtë.

Gargarën duhet ta bëni dy herë në ditë.

Uthulla e mollës përmban aciditet të lartë dhe shkatërron bakteret ndërsa mjalti e zbut fytin.

Çaji i shegës

Zieni lëkurën e një shege në 3-4 gota me ujë.

Me këtë lëng mund të bëni gargarë ose ta pini si çaj.

Për efikasitet më të lartë mund të pini lëng shege tre herë në ditë.

Shega është shumë e pasur me antioksidantë dhe lufton infeksionet.

Çaj xhenxhefili

Ziejeni një copë xhenxhefil në 2-3 filxhanë me ujë.

Lëngun pasurojeni me pak mjaltë dhe pijeni të ngrohtë.

Xhenxhefili ndihmon në shpërbërjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes dhe largon toksinat.

Ai gjithashtu lufton inflamacionin dhe bakteret që acarojnë fytin.

Njerëzit që vuajnë nga acarimi i fytit duhet të pijnë shumë lëngje për të luftuar bakteret dhe të bëjnë rregullisht gargarë.

Supa me mish pule është gjithnjë e këshillueshme kundër acarimit të fytit, bashkë me eliminimin e ushqimeve të përpunuara dhe me shumë yndyrë./AgroWeb.org