Prokuroria e Specializuar në Hagë ka deponuar një kërkesë te trupi gjykues. Aty kërkohet që të pranohen dëshmitë e kaluara për gjashtë dëshmitarë, të cilët kanë vdekur ose janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Megjithatë, vëmendjen në këtë parashtrim të Prokurorisë e ka marrë dëshmia e njërit prej këtyre dëshmitarëve të vdekur. Aty përmenden emra të njohur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Nuredin Lushtaku e Gani Geci.
Fjala është për një person i cili pretendonte të ishte ndaluar në Polac. Aty ai kishte deklaruar se është maltretuar nga disa pjesëtarë të UÇK-së.
Në mesin e tyre e kishte përmendur edhe Nuredin Lushtakun.
“Më 1 tetor 1998, tre burra të veshur me uniforma të UÇK-së, të identifikuar si Hasan KODRA, Skender KODRA dhe një individi me mbiemrin LUSHTAKU, hyri në shtëpinë e tij dhe i tha se komandanti i UÇK-së Ilaz KODRA donte të fliste me të.124 W04239 u fut me forcë në një automjet Lada të bardhë dhe u dërgua në fshatin Prekaz në shtëpinë e Nebi Kodrës. Natën e 5 tetorit 1998, W04239 u transportua në malet afër Skenderajt ku u rrah derisa pa ndjenja. W04239 u zgjua dhe e gjeti veten të mbuluar me degë dhe gjethe që iu vunë flakën, pastaj ai shpëtoi por u kap përsëri dhe u vendos në një makinë”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.
Njoftim i Speciales
E më pas për lirimin e këtij personi, kishte ndikuar Gani Geci. Të paktën kështu thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.
“W04239 është transportuar në selinë vendore në Likoc/Likovac ku është futur në korridor për disa orë me të burgosur të tjerë të lidhur. Ai ka njohur Sami Lushtakun, Ramadan Gashin dhe Sahit Jasharin. Gjatë natës, W04239 dëgjoi një telefonatë nga Gani Geci dhe Fadil Geci në radio që urdhëroi lirimin e tij. W04239 u lirua, por u kërcënua të mos e zbulonte atë që pa. W04239 pësoi brinjë të thyera, plagë dhe mavijosje si pasojë e goditjeve”, thuhet në parashtrimin e ZPS-së.
Një tjetër dëshmitar është në mesin e vizitorëve të UÇK-së në Qirez në vitin 1998. Megjithatë, ky dëshmitar anonim nuk ka vdekur, por është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Andaj, Prokuroria ka kërkuar që të merret parasysh dëshmia e tij. Ky rast është rasti shumë i diskutuar për të cilin kishte folur Gjergj Dedaj, për të cilin avokatët thonë se e ka pranuar që nuk ishin maltretuar asnjëherë.
“Në shtator 1998, ai bëri një vizitë humanitare si pjesë e një delegacioni në Drenicë përfshirë Qirezin. Ai u arrestua dhe u ndalua para se të transferohej në Baicë ku u rrah dhe u mor në pyetje dhe më pas u lirua. Anëtarët e delegacionit u arrestuan nga ushtarët e UÇK-së, duke përfshirë Sabit Gecin, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin. Më 22 shtator 1998, W03821 dhe të burgosurit e tjerë u larguan nga shkolla nga ofensiva serbe në Drenicë. Në mbrëmje, Hashim Thaç u tha atyre se ishin të lirë të shkonin”, thuhet në dokument.
Deri më tash në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së janë dëgjuar 22 dëshmitarë.
Prokuroria e Specializuar e Hagës ka dorëzuar kërkesën tek trupi gjykues që t’i pranojë dëshmitë e kaluara gjashtë dëshmitarëve, të cilët janë të vdekur ose të sëmurë dhe nuk mund të dëshmojnë në Hagë. Disa prej këtyre dëshmitarëve janë serbë, e disa shqiptarë. Në disa raste, dëshmitë që Prokuroria kërkon të pranohen janë edhe në institucionet e drejtësisë në Beograd.