Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gara: Për tri ditë kaluan 32 mijë udhëtarë përmes Aeroportit të Prishtinës

 
   

Në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë vetëm në tri ditët e para që pas liberalizimit të vizave kanë udhëtuar afër 32 mijë qytetarë. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i udhëtarëve është rritur për mbi 10 mijë.

Kështu ka thënë, zëdhënësja e ANP “Adem Jashari”, Valentina Gara.

Gara ka thënë se për këto tri ditë, janë realizuar 212 fluturime, me një mesatare rreth 70 fluturime në ditë.

“Nga data 1 janar deri më 3 janar, kanë kaluar dikund rreth 31 mijë udhëtarë vajtje-ardhje. Nëse e krahasojmë të njëjtën periudhë me tri ditët e para të vitit 2023, kemi dikund mbi 10 mijë udhëtarë më shumë se sa vitin e kaluar, mirëpo ky është një trend i cili vazhdimisht ka qenë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke pasur parasysh se çdo vit kemi pasur rritje të numrit të udhëtarëve si në vajtje po ashtu edhe në ardhje”, ka thënë Gara për EO.

“Për këto tri ditë, një mesatare në ditë ka qenë dikund rreth 70 fluturime në ditë, ndërkaq për tri ditë janë gjithsej 212 fluturime të cilat janë realizuar. Presim që të kemi edhe shtim të numrit të fluturimeve, po ashtu kemi edhe tri destinacione të reja të cilat i janë shtuar Aeroportit të Prishtinës për vitin 2024, mirëpo akoma nuk kanë filluar”, u shpreh Gara, teksa e pranon që në rritjen e numrit të udhëtarëve ka ndikuar edhe liberalizimi i vizave.

“Edhe liberalizimi i vizave ka ndikuar në këtë rritje të numrit të udhëtarëve, mirëpo duhet pasur parasysh që tani jemi në periudhën kur pika e sezonit dimëror, jemi në periudhën pas festave ku për festa vijnë shumë bashkatdhetarë që festojnë në familjet e tyre, prandaj është herët që të dalim me një vlerësim të tillë që liberalizimi i vizave ka ndikuar në këtë trend të rritjes”, u shpreh tutje ajo.

Gara e ka quajtur të suksesshëm vitin 2023 për Aeroportin e Prishtinës, pasi gjatë vitit të kaluar kanë kaluar mbi 3.4 milionë udhëtarë.

“Vitin 2023 e kemi përmbyllur me një shifër mbi 3.4 milionë udhëtarë, ndërkaq edhe në vitin 2024 presim që të kemi një rritje të vazhdueshme jo vetëm për shkak të liberalizimit të vizave mirëpo edhe për shkak të vizitave të shpeshta të bashkatdhetarëve tanë”, deklaroi Gara.