Sot në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), po diskutohet mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, në fjalën e tij në APKiE, ka thënë se Serbia e ka përkrahur këtë sulm terrorist dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist.
Ai ka bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar të plotë dhe të paanshëm për ekzistencën e kampeve të trajnimit për terroristët në Serbi dhe po ashtu ka bërë thirrje që Serbia t’i largojë trupat e saj ushtarake nga kufiri me Kosovën, pasi sipas tij, prania e tyre ka potencial të përshkallëzojë tensionet dhe të rrezikojë paqen e brishtë në rajon.
Gashi ka shtuar se dialogu dhe diplomacia paqësore janë mjetet më efektive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Fjalimi i tij i plotë:
Në kohë errësirë dhe dëshpërimi, është detyra jonë të qëndrojmë së bashku, të përballemi me pasojat shkatërruese të sulmeve terroriste dhe të gjejmë shpresën në ndjekjen e paqes.
Më 24 shtator në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, në Republikën e Kosovës është kryer një sulm terrorist, ndërsa një grup terroristësh të armatosur, të veshur me uniformë dhe maska kanë vrarë një polic dhe kanë plagosur dy të tjerë dhe jo vetëm.
Serbia, si shtet anëtar i këtij institucioni të madh, e ka përkrahur dhe e ka pajisur këtë grup paraushtarak me armë, municion dhe mjete të tjera për kryerjen e këtij akti terrorist.