Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gazetari Sopa përgëzon Osmanin për mos dekretimin e Kryeprokurorit, tregon dy raste ku ia huqi Blerim Isufaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka dekretuar prokurorin Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit.

Këtë vendim të saj e ka përgëzuar gazetari Jeton Sopa, që sipas tij, ishte veprim i mençur dhe i guximshëm.

Ai paraqet një historik të shkurtër të prokurorit Blerim Isufaj, për të cilin thotë se mbahet mend për dy raste, njërin kur e patë dënuar një familje në burg duke i akuzur dy vajzat dhe bashkëshorten e Hamdi Sopës se e kanë vrarë babain, bashkëshortin e tyre, dhe më vonë doli se vajzat nuk ishin fajtore.

Rasti tjetër, është edhe ai me prokurorin Elez Blakaj kur kishte deklaruar publikisht ngritjen e aktakuzës për veteranët e rrejshëm, por Blerim Isufaj i ka bërë atij presion për mospërfshirje në aktakuzë të një ish-komandanti të UÇK-së.

Postimi i plotë:

Presidentja Osmani sot nuk e dekretoj prokurorin special Blerim Isufaj për Kryeprokuror të shtetit, para gazetarëve shpalosi një raport prej 18 faqesh për një mori shkeljesh gjatë këtij procesi.

Por kush është në fakt kandidati për kryeprokuror të shtetit që na qenka meritor për poziten më të lartë të organit të akuzës?

Blerim Isufaj që nga viti 2013 mban poziten e prokurorit special dhe më vonë edhe kryeprokuror i prokurorisë speciale, pra bash në vendin ku trajtohen rastet e mëdha që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Nëse të gjithë ne pajtohemi se në Kosovë ka pas korrupsion me bollëk që përfshijnë nivele ma të larta të politikës kjo duke u bazu jo vetëm në perceptimin e opinionit publik por edhe në raportet ndërkombëtare, atëher cilin ministër, zv. ministër apo qoftë edhe ndonjë zyrtar qeveritar Blerim Isufaj e ka dërgu në burg?

Unë nuk e di se çfarë suksesesh dhe meritash ka ky prokuror në karrieren e tij në mënyrë që ta meritoj poziten e kryeprokurorit të shtetit.

Prokurorin Blerim Isufaj e mbaj mend kur e patë dërgu një familje në burg duke i akuzu dy vajzat dhe bashkëshorten e Hamdi Sopës se e kanë vrarë babain,bashkëshortin e tyre.

Më vonë doli se ato nuk kishin qenë aspak fajtore në këtë rast dhe për këtë tash ato e kanë paditur shtetin e Kosovës dhe kërkojnë dëmshpërblim prej 25 milionë euro…!

Blerim Isufajn gjithashtu e mbaj mend edhe me një rast tjetër, kur prokurori special Elez Blakaj pati thënë publikisht se me rastin e ngritjes së aktakuzës për veteranët e rrejshëm , Blerim Isufaj i ka bërë atij presion për mospërfshirje në aktakuzë të një ish-komandanti të UÇK-së.

Prandaj opozita dhe eksponentët e ‘prontos’ padyshim që insistojnë që ta bëjnë kryeprokur një njëri të tllë në mënyrë që të ndjehen më rehat, pse jo edhe të flejnë rehat…

E, duke mos pasur merita ata si argument të vetëm thonë se Blerim Isufaj ka qenë ushtar i UÇK-së e që në fakt k’ta duke u thirrë nën këtë argumet e duke e keqpërdor logon e UÇK-së e kanë vjedh dhe plaçkit Kosovën për 20 vjet.

Prandaj sot e përgëzoj presidenten Osmani për këtë vendim sa parimor po aq edhe të guximshëm.👊