Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të Kosovës, ku u vra një efektivi të policisë dhe u plagosën dy të tjerë, nga një grup serb i armatosur rëndë.
Gazetarja Klodiana Lala ka raportuar nga Kosova se policia e Kosovës ka blinduar fshatin e Banjskës, pasi e konsideron hyrjen në këtë zonë të rrezikshme për shkak të shkëmbimit të zjarrit.
Po ashtu, Lala raporton se ka dyshime se ka më shumë se 3 të vrarë në radhët e agresorëve serbë që janë vendosur në manastirin e Banjskës.
“Hyrja në fshatin Banjskë tanimë konsiderohet e rrezikshme pasi forcat e policisë janë përfshirë në shkëmbimin e zjarrit me grupin e armatosur serb. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me grupin e armatosur janë vrarë 3 sulmues, ndërsa ka informacione të pakonfirmuara se numri i agresorëve të vrarë mund të jetë më i lartë.
Sulmuesit janë të armatosur rëndë dhe të veshur me rroba ushtarake. Ata janë vendosur në manastirin e Banjskës. Policia e Kosovës është vendosur në gatishmëri të plotë, ndërsa forcat e KFOR janë vendosur në hyrje të Mitrovicës”, u shpreh ajo për News24.