Dijana Toska është gazetarja që mori intervistën e parë të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, pas luftës në tetor të vitit 1998, intervistë kjo e cila bëri jehonë të madhe gjithandej pas rikthimit në punë të Radio Televizionit të Prishtinës. Në këtë dalje të parë publike pas luftës, Rugova iu përgjigj disa pyetjeve të cilat i kishin dërguar qytetarët e vendit.
Në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN”, Toska tregoi një anë tjetër të kësaj interviste, ku bëhej fjalë për prapaskenat.
Siç shprehet ajo, komandantët e UÇK-së të cilët qëndronin me revole para RTP-së, dëshiruan ta pengonin këtë intervistë.
“Opinioni nuk i di paraskenat, lufta që është bërë për t’u realizuar ai emision. Para fillimit, meqë ishte paralajmëruar në gazetë që sonte do të jetë intervista me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, kishte zgjuar normalisht interesim. Dhe çka ishte ajo para emisionit, se publiku këto gjëra nuk i di? Ishin dy rryma. Kishin ardhë edhe Komandantë të UÇK-së, të cilët deshën ta stoponin, ta ndalonin që presidenti të mos jetë mysafir në program”, u shpreh ajo.
Dhe rryma e dytë, Toska thotë se ishte në popull, pasi ishte zgjuar nostalgjia për televizionin e gazetarët e Prishtinës.
“Dhe ishte ana tjetër, sepse u lajmërua se gazetarët e Radio Televizionit të Prishtinës po kthehen. Nostalgjia e opinionit për televizionin dhe gazetarët e televizionit të Prishtinës, paralelisht me njerëz me revole para Radios, se atëherë Televizioni i Prishtinës emitonte programin në Radio. Opinioni kishte ardhë me pije, me ëmbëlsira, me krejt për të kremtuar në një mënyrë fillimin e transmetimit dhe për të nderuar presidentin, Rugova”, tregoi ajo.