Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gecaj për deklaratën e Hovenier: Ndërkombëtarët kanë filluar ta shtrëngojnë gjuhën ndaj Serbisë

 
   

Ish-ushtaraku, Hysen Gecaj duke komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier si kundërpërgjigje të kërcënimeve të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Bashkësia ndërkombëtare ka filluar të shtrëngojë gjuhen karshi Serbisë.

Gecaj, ka vlerësuar se Hovenier në krahasim me ambasadorët e kaluar që ishin në Kosovë, ka qenë më konkret në deklarimet e tij.

“Ambasadori amerikan e ka thënë sot shumë konkret, çka është edhe kjo një risi në krahasim me të kaluarën të cilën ambasadorët në Kosovë nuk kanë qenë shumë regjid dhe shumë konkret në deklarimet e tyre, por tash kanë filluar edhe Bashkësia ndërkombëtare pak a shumë më shtrënguar pak edhe gjuhen e tyre karshi Serbisë e cila po i nxjerr problem edhe atyre, përveç vendeve në regjion”, është shprehur ai.

Ndërsa, lidhur me kërcënimet e Vuçiqit, Gecaj ka konsideruar se janë retorikë e vazhdueshme që nga koha e Millosheviqit.

Për Gecajn, deklarimet e Vuçiqit po bëhen për konsum të brendshëm.

“Kjo retorikë është e vazhdueshme që nga mbarimi i luftës në Kosovë dhe politikanët herë njëri herë tjetri e kanë thënë në vazhdimësi. Jo ndoshta në situatë si kjo që e ka thënë Vuçiq dhe kaq hapur, por porosia, mesazhi ka qenë i njëjtë. Përveç këtij mesazhi ne nuk duhet të befasohemi sepse politika nuk ka ndryshuar që nga koha e Millosheviqit është po e njëjta, pot ë njëjtat ato kërcënime. Vuçiq e bën këtë për konsum të brendshëm”, ka shtuar ai.

E ambasadori amerikan, Jeff Hovenier gjatë ditës ka komentuar deklaratën kërcënuese të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq duke thënë se nuk duhet të mbesim pa gjumë për shkak të këtij kërcënimi, kjo pasi sipas tij, aleanca më e fuqishme në histori është prezente në Kosovë.

“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës. Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës. Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesin pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”, ka deklaruar ai para mediave.

Ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq së fundmi ka bërë disa deklarata kërcënuese ku tha se Perëndimi duhet të zgjedhë mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse ata zgjedhin Kosovën, Vuçiq ka thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe ne do ta shfrytëzojmë mundësinë tonë”.