Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Geci për Thaçin: Nuk kam thënë rastësisht që ky është njeri i rrezikshëm

 
   

adil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Hagë, të mërkurën tha se nuk ka thënë rastësisht që Hashim Thaçi është njeri i rrezikshëm.

Një gjë të tillë, ai e tha kur u ballafaqua me deklaratat e Thaçit për autoritetet e drejtësisë, ku kishte përdorur një raport mjekësor të Gani Gecit për të demantuar deklaratat e tij publike që përmbanin akuza për tani të akuzuarin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Edhe ju vlerësoni vetë çfarë dredhish i bën ky. Çfarë pabesish i bën ky. Nuk iu kam thanë rastësisht që është njeri i rrezikshëm me këto dredhish, por tanave iu vjen fundi. Ganiu është shnosh tash”, tha në Geci ndër tjera në deklaratë.

Por, duke e ndjekur në mënyrë kronologjike të gjithë këtë situatë, fillimisht gjyqtari Guénaël Mettraux lexoi deklarata e Thaçit ku kishte thënë se rasti i Behadin Hallaqit është përdorur për qëllime të caktuara politike nga persona të njëjtë që flasin për komunikatën 59.

“Zoti Thaçi thotë se çështja e zotit Hallaqi është bërë politike dhe është përdorur për qëllime të caktuara politike nga të njëjtit njerëz që flasin për komunikatën 59. Ai thotë ‘që unë jam në dijeni që është postuar në internet nga Rexhep Selimi. Jam munduar që të gjej evidencë të deklaratave të zotit Selimi çka deklaron në kohë të ndryshme me deklarime të ndryshme por edhe të bashkëpunëtorëve të tij politik që kanë bë shkresa politike kundër meje”, tha gjyqtari.

Dëshmitari tha se janë kundërshtarë politik të Rexhep Selimit dhe jo bashkëpunëtorë.

“Jo kurrë. Jemi kundërshtarë politik në ekstrem”, u përgjigj Geci.

Gjyqtari vijoi duke lexuar sërish nga deklarata e Thaçit i cili kishte ofruar dëshmi kinse për të treguar karakterin e Rexhep Selimit.

“Për të treguar karakterin e zotit Selimi do të doja të iu dorëzoja këtë dëshmi sepse ndërlidhjet me 59 edhe të rastit të Hallaqit, zoti Selimi është i ndërlidhur me të dyja sepse u tha që edhe ai ka bërë deklarata publikisht dhe ju e cituat, por ndërlidhet edhe me intervistimet e tij tek organet e drejtësisë në Kosovë lidhur me zotin Hallaqi”,  lexoi gjyqtari.

Si rrjedhojë, gjyqtari thotë se gjatë kësaj interviste, Thaçi thotë se “dua t’ju jap diçka që lidhet me Gani Gecin”, e që e prezanton artikullin ku thoshte se “Geci është vrasës serial” dhe deklarata pastaj vijon me një raport mjekësor të Gecit.

“Zoti Thaçi thotë se kjo ka të bëjë përsëri me komunikatën 59. Zoti Gani Geci ka dhënë deklarata të ndryshme publike dhe dua t’ju jap një dokument. Unë kam marrëdhënie konstruktive, megjithatë dua që ju të keni një panoramë me këtë person. Pastaj ka një diskutim sa i takon një raporti mjekësor që ka të bëjë me gjendjen shëndetësore të vëllait tuaj. Do t’ju bëj një pyetje në lidhje me këtë. Megjithatë për të përfunduar, zoti Thaçi thotë se zoti Geci ka thënë publikisht që është intervistuar nga ju, ka përmendur emrin tim në publik sepse emri im është përmendur në raste të ndryshme nga ky zotëri dhe e ndjej të detyrueshme që t’ua jap këtë dokument. Është një dokument që mund të gjendet nga gjithkush në internet. Nuk po e akuzoj, nuk po e inkriminoj. Nuk po bëj asgjë të tillë, por thjesht po mundohem të sqaroj se për kë po bëhet fjalë këtu”, tha gjyqtari.

Për të biseduar lidhur m këtë raport mjekësor, dëshmitarit iu tha se mund të bëhet edhe në seancë private, gjë të cilën e kundërshtoi Geci.

Në seancë publike, Geci tha se në atë dokument thuhet se vëllai i tij ka pasur tronditje të forta psiqike në momentin kur ka ndodhur një vrasje gjë, për të cilën Ganiu është dënuar.

“Jo në seancë private kurrqysh, vetëm publike. Le të dinë të gjithë se çka ka thanë e çka ka dashtë me thanë. Vëllai im ka pasur një proces gjyqësor që është dënu me 3 vjet e gjysmë burg dhe vetëm shife atë dokument mjekësor, është vlerësu që në momente vendimtare pas gjithë këtyre traumave që i ka pas ai, ai është shumë i fortë. Në dokument thuhet që ka pas tronditje të fortë psiqike në momentin që e ka pas rastin. Atë dokument që është e ndalume me tana të drejtat, e ka marrë me e ba publik, ky edhe me e zhvlerësu intervistën që e ka dhanë Gani Geci, po nuk e ka ditë që është Fadili- vëllai i tij që është shnosh si topi edhe është këtu. Këtë s’e ka ditë. Ka mendu që Gania është vetëm. Gania nuk është vetë. Gania është shnosh tash. Ka pas tronditje po është shumë psiqikisht i fortë”, tha Geci.

Si rrjedhojë, dëshmitari Geci e quajti të rrezikshëm dhe të pabesë Thaçin, me arsyetimin se përdori në mënyrë joligjore dokumentet mjekësore të vëllait të tij.

“Nuk është e drejtë. E ka shkelë ligjin. E ka marrë e ka shfrtyëzu për me e qit publik përmes televizioni. Është në padi televizioni i RTK-së ku ky u kanë kryetar i shtetit që e ka marrë dokumentin që është e ndalume me e marrë. Për këtë do të paditet edhe ajo edhe ky. Edhe ju vlerësoni vetë çfarë dredhish i bën ky. Çfarë pabesish i bën ky. Nuk ju kam thanë rastësisht që është njeri i rrezikshëm me këto dredhish, por tanave iu vjen fundi. Ganiu është shnosh tash. Ka pas tronditje. Është dënu, e ka kry burgun, me sukses e ka kry burgun, tash është në liri dhe do të vjen të bisedoj me ju për të gjitha”, tha Geci.

Tutje, Geci tha se as kjo deklaratë e Thaçit nuk e ndryshon bindjen e tij se kush është autori i komunikatës 59.

Gjatë pyetjeve të tij, përpara kësaj teme, gjyqtari iu kthye sërish pyetjeve për komunikatën 5, ku iu referua një dokumenti i cili fliste në emër të UÇK-së.

Sipas gjyqtarit Mettraux, në paragrafin e fundit të atij dokumenti thuhet “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së i paraqet ngushëllime familjes Rexha dhe bashkëluftetarëve të tij”. Andaj, dëshmitari u pyet se çfarë e bën të mendojë që ky dokument është hartuar nga një person nga Shtabi ose një grup personash.

“Unë e besoj shumë që ata që e kam thënë është e vërtetë dhe e arsyetoj në këtë formë; Janë dy persona; Rexhep Selimi dhe Hashim Thaçi. Këta të Shtabit, të tjerë nuk dinë në atë punë që është lëshu në emër të tyne, që thotë Rexhep Selimi më ka thirrë në telefon dhe i kam thanë “qikjo pjesë nuk është e vërtetë” , ka thanë “e di po du me i shfaros krejt, e di”. Këta dy persona janë këtu. Ky thotë që ky më ka thanë qeshtu dhe është e vërtetë që ata tjerët veç ia kanë miratu e s’kanë ba za hiç. Kjo më bind 100%, kjo duhet të na bind tanve se kjo është një e vërtetë dhe vetëm e vërtetë”, tha Geci.

Seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit, kur tema ishte tek Cen Desku, Jakup Kastrati dhe përshendetja me grusht e Jakup Krasniqit, të cilën dje Geci e përmendi në seancë.

Ndryshe, gjatë pyetjeve në seancë, gjyqtari ia prezantoi dëshmitarit një deklaratë të Jakup Krasniqit të cilën e kishte dhënë në njërin prej rasteve në ish-Tribunalin e Hagës për Jugosllavinë, ku kishte folur për deklaratën e shtypit që ishte lëshuar në nëntor 1998 nga Drejtoria e Policisë Ushtarake të UÇK-së dhe Shtabi i Përgjithshëm i saj.Sipas gjyqtarit, kjo deklaratë për shtypi kishte të bënte me arrestimin dhe ndalimin e Jakup Kastratit, Cen Deskut dhe me ekzekutimin e Ramiz Hoxhës dhe Selman Biniqit.

Gjyqtari Mettraux tha se Jakup Krasniqi kishte deklaruar se nuk ka dijeni për këtë dokument, e që tashmë i akuzuari kishte thënë që di më shumë për lirimin e tyre sesa për arrestimin.

“Është e vërtetë që lufta speciale është zhvilluar nga disa individë dhe jo vetëm nga ata njerëz që ishin të armatosur e që ishin futur në ushtri, por kishte edhe civilë sepse edhe në UÇK kishte ish-oficerë të Ushtrisë jugosllave që kishin marrë pjesë në Shërbimin Sekret të ushtrisë jugosllave. Kishte njerëz që ishin ndëshkuar dhe akuzuar për vepra penale dhe do të doja të thoja që mbas ofensivës së verës, këta njerëz i kanë dorëzuar armikut 5-6 mijë armë. Është një fakt i njohur rasti për shembull kur armët janë dorëzuar në zonën e Dukagjinit nga Tahir Zemaj. Dorëzimi i këtyre armëve vazhdoi edhe në një masë më të vogël edhe në Komunën e Istogut dhe Komunën e Therandës. Kishte njerëz që kërkuan dorëzimin e armëve edhe në Malishevë dhe kjo është bërë nga Jakup Kastrati dhe Cen Desku dhe në fillim dyshohet se këta njerëz iu kishin bërë thirrje shumë ushtarëve që të dorëzonin armët”, lexoi gjyqtari sqarimin e Jakup Krasniqit.

Lidhur me këtë deklarim të Kransiqit për Tahir Zemajn, u pyet edhe dëshmitari, i cili tha se tani i akuzuari ka bërë gabim që kishte folur ashtu.

“Unë mendoj, masi është komentim do të dha mendimin tim çka unë mendoj. Tahir Zemaj ishte profesionist. Tahir Zemaj i iku luftës vëlla-vrasje. Tahir Zemaj paska thanë Jakupi që paska pas diçka penal, por edhe nëse ka pas penal, ushtaraku na vyn për atë ditë, por mbas lufte do të përgjigjet për ato vepra prapë. Mendimi im. Do të thotë, ai e din ma mirë se Jakupi e Fadli se qysh duhet me u sjellë e qysh duhet me u mbrojtë shteti. U kanë shumë i vlefshëm, por gabim e ka që i ka thënë këto fjalë”, tha Geci.

Geci tutje tha se Tahir Zemaj ka qenë një personalitet që i është dashur Kosovës në ato kohë.

“Është e mundshme që ka qenë në Ushtrinë jugosllave. Ka qenë në Ushtrinë jugosllave e mund të jetë edhe ashtu siç ka thënë Jakup Krasniqi, por ka qenë personalitet që i ka vy Kosovës”, tha Geci.

Në këtë pjesë, ndërhyri mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga avokati Aiden Ellis, duke thënë se dëshiron që të ngre një çështje pa praninë e dëshmitarit.

Kur doli dëshmitari, Ellis tha se problemi që kanë ata është se dëshmitari nuk ka njohuri personale dhe përgjigja e fundit që ai dha përbën spekulim. Tha se pyetjet e tilla duhet t’i bëhen dëshmitarëve që kanë njohuri direkte dhe jo për të tjerët.

Kurse, gjyqtari u shpreh se e ka pyetur dëshmitarin nëse kishte dijeni për këtë gjë dhe si rrjedhojë u soll sërish dëshmitari në sallë.

Tutje, Geci u pyet nëse Jakup Krasniqi e njihte Jakup Kastratin, Cen Deskun dhe Tahir Zemajn që nga koha e paraluftës.

“Unë mendoj që Jakup Kastratin dhe Cen Deskun i ka njoftë mirë. Tahir Zemen nuk besoj që e ka njoftë, por ky e dinë më mirë se unë. Kurse, me këta të dy (Deskun dhe Kastratin) ka punu bashkë se kanë qenë veprimtar të LDK-së dhe i ka njoftë mirë”, tha Geci.

Geci tha se për ngjarjet në Qirez ka biseduar vetëm me Mehdi Bardhin dhe jo me dikë tjetër.