“Ai ishte një strateg i rrallë politik, njeri i drejtësisë dhe i lirisë. Për lirinë dhe të drejtat e popullit të tij ai luftoi me mjete politike dhe në fund edhe luftarake, duke u bërë hallkë e pazëvendësueshme lidhëse mes dy periudhave vendimtare për çlirimin e Kosovës, rezistencës civile me mjete politike dhe luftës çlirimtare”, ishin fjalët e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë akademisë përkujtimore të mbajtur në Stuttgart për nder të 25-vjetorit të rënies në betejën e Koshares të Heroit të Kosovës, Sali Çekaj.
Në praninë e më shumë se 400 pjesëmarrësve nga mërgata, bashkëveprimtarë dhe bashkëpunëtorë, miq dhe shokë të heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në shenjë nderimi për figurën e tij dhe të gjithë të rënëve për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit, në Stuttgart, në vendin prej nga Sali Çekaj për vite me radhë dha një kontribut të pakrahasueshëm për çështjen e Kosovës, u mbajt akademia përkujtimore e organizuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njofton Klankosova.tv.
Në fjalën e saj para qindra të pranishmëve, Gërvalla duke vlerësuar lart kontributin e Sali Çekajt tha se ai ishte patriot i pakompromis, gjigant i rezistencës, sinonim i trimërisë dhe urtësisë, personifikim i përpjekjeve të pandërprera për liri dhe drejtësi dhe si i tillë ai do të mbetet përjetë në vetëdijen tonë simbol i sakrificës sublime për liri, pavarësi dhe demokraci.
Profesor Ali Aliu, një ndër shtyllat kryesore të organizimit të rezistencës civile, anëtar i ASHAK dhe përfaqësuesi i parë i Kosovës në Shqipëri, evokoi momente të veçanta nga koha kur e kishte njohur heroin, e sidomos nga periudha e stërvitjes së grupeve të para për vetmbrojtje në Shqipëri, pjesë e të cilave ishin ndër të tjera pos Sali Çekajt, edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe plot të tjerë. Prof. Aliu shpërfaqi gjatë fjalës së tij para të pranishmëve karakterin e fortë, përgatitjen profesionale, vullnetin dhe vendosmërinë e Sali Çekajt për të luftuar për Kosovën deri në frymën e fundit.
Rreth kontributit të Sali Çekajt në mobilizimin e mërgatës për çlirimin e vendit, mbështetjen financiare dhe logjistike si dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, foli personi, i cili nga të gjithë parafolësit u përshkrua si bashkëveprimtari më i ngushtë i heroit në Gjermani, ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjermani dhe diasporë, Hafiz Gagica.
Sipas komunikatës së MPJD-së, ai ngriti në pah vendosmërinë dhe trimërinë e rrallë Sali Çekajt.
Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, bashkëluftëtari i heroit Sali Çekaj, koloneli Rrustem Berisha, rrëfeu për luftimet e ashpra të Koshares, e sidomos të 19 prillit, gjatë të cilave Sali Çekajn, të quajtur me nofkën “Veterani” e kishte lutur të mos shkonte atë ditë në vijën e frontit, por të qëndronte në komandë. Ai me vendosmëri i ishte përgjigjur se nuk do të lejojë që “këmba e serbit të shkelte mbi vendin ku kishte derdhur gjak Agim Ramadani”. Ashtu edhe kishte ndodhur në të vërtetë, Sali Çekaj dhe shumë luftëtarë të Koshares ranë heroikisht, mirëpo serbët u zmbrapsën prej aty përgjithmonë.
Postës e Kosovës, në shenjë nderimi ka emituar pullën postare me titullin “Sali Çekaj, Hero i Kosovës”, për nder të 25-vjetorit të rënies së tij.
Gërvalla ia dorëzoi pullën postare përfaquesuesit të familjes së heroit, Sali Çekaj, Migjen Çekaj, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Konsullatën në Stuttgart dhe konsullin Hamdi Berbatovci për organizimin dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre.
Të pranishmit ndoqën tri pika muzikore të interpretuara nga sopranoja Arta Jashari dhe pianisti Andi Duraku si dhe ekspozitën me fotografi të heroit Sali Çekaj nga veprimtaria e tij kolosale.