Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla flet para deputetëve e shoqërisë civile në Gjermani: BE ende pa qëndrim të qartë e zyrtar për Banjskën

 
   

Në përmbyllje të vizitës së punës në Gjermani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla mori pjesë në diskutimin me përfaqësues të institucioneve gjermane, deputetë të Bundestagut gjerman dhe shoqërisë civile, të organizuar nga Fondacioni “Körber”.

Siç njofton MPJD, Gërvalla foli për “të arriturat e mëdha të Republikës së Kosovës gjatë vitit 2023, duke e cilësuar si vitin më të suksesshëm jo vetëm në forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, por sidomos  edhe zhvillimin ekonomik”, duke shpalosur edhe proceset e saj integruese në mekanizmat ndërkombëtarë.

Kryediplomatja edhe para këtyre të pranishmëve theksoi për veprimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe rajon, duke përmendur sulmet e vazhdueshme në veri të Kosovës, si ai i 29 majit ndaj ushtarëve të KFOR-it, rrëmbimin e policëve të Kosovës si dhe sulmin e 24 shtatorit.

Ajo aty shprehu “shqetësimin e saj që nga shtatori nuk ka një qëndrim të qartë dhe zyrtar të BE-së për aktin e hapur të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës”.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu Kosovë-Serbi, rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare ishin temat e tjera, rreth të cilave ministrja Gërvalla bashkëbisedoi me të pranishmit në diskutimin e organizuar nga Fondacioni “Körber”.

Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka marrë pjesë edhe në takimin me gazetarë, si e ftuar nga Forumi “Korrespondenten.cafe”, ku morën pjesë korrespodentë të huaj, politikanë, gazetarë dhe diplomatë.

“Ky takim ishte një mundësi e mirë e bashkëbisedimit, ku gazetarë të mediave të ndryshme, në një takim prapa kamerave, patën mundësi të  informohen rreth aktualitetit politik në Kosovë, politikën e jashtme dhe të ardhmen e saj euroatlantike”, njofton MPJD.