Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla kujton Sabahate Tolajn e Isuf Haklajn, vjen me mesazh të fuqishëm: Nuk ka drejtësi në vend pa u zbardhur çdo vrasje e pas luftës!

 
   

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka përkujtuar policët, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës.

Gërvalla përmes një postimi në Facebook tha se vënia para drejtësisë e autorëve të këtyre krimeve është një obligim i patjetërsueshëm i institucioneve tona të drejtësisë.

“Nuk ka drejtësi në vend pa u zbardhur edhe çdo vrasje dhe çdo krim që ka ndodhur edhe pas luftës në Kosovë.

Sakrifica e tyre është një thirrje për ndërgjegje dhe një obligim për drejtësi.

Ata që ranë në krye të detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin, meritojnë nderimin më të lartë dhe përkushtimin tonë të përjetshëm për të siguruar që çdo krim të marrë përgjigjen e merituar”, shkroi ndër të tjera ministrja Gërvalla, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Luftëtarët e Lirisë dhe zyrtarët policorë, Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, u vranë vetëm sepse me vendosmëri ishin vënë në kryerje të detyrës, duke vendosur rendin dhe ligjin në Kosovën për të cilën luftuan me trimëri dhe u kthyen në heronj të demokracisë.

Në shënim të Ditës Memoriale të Policëve të Rënë në Kryerje të Detyrës, pashmangshëm kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e tyre sublime. Vënia para drejtësisë e të gjithë autorëve të këtyre krimeve është një obligim i patjetërsueshëm i institucioneve tona të drejtësisë.

Sot, në kujtim të jetës dhe veprës së tyre, bashkë me Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, bëmë nderime pranë monumentit të heronjve para objektit të Policisë së Kosovës në Pejë.

Nuk ka drejtësi në vend pa u zbardhur edhe çdo vrasje dhe çdo krim që ka ndodhur edhe pas luftës në Kosovë.

Sakrifica e tyre është një thirrje për ndërgjegje dhe një obligim për drejtësi.

Ata që ranë në krye të detyrës për të mbrojtur rendin dhe ligjin, meritojnë nderimin më të lartë dhe përkushtimin tonë të përjetshëm për të siguruar që çdo krim të marrë përgjigjen e merituar.

Le të jetë kujtimi i tyre një udhërrëfyes në rrugën tonë drejt drejtësisë.