Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla njofton KiE se 24 hektarë tokë janë regjistruar në pronësi të Manastirit të Deçanit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka njoftuar Këshillin e Evropës për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Manastirin e Deçanit.

Njëherit, në dokumentin e publikuar nga një gazetar i Frankfurter Allgemeine Zeitung, thuhet se Gërvalla i ka njoftuar se Agjencia Kadastrale e Kosovës, ka zbatuar aktgjykimin duke përfshirë të dhënat pronësore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka porositur sot Agjencinë përkatëse (Agjencinë Kadastrale të Kosovës) që në mënyrë administrative të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Prandaj, agjencia ka zbatuar aktgjykimin duke përfshirë të dhënat pronësore në dosjen e sistemit kadastral që i atribuohet Manastirit të Deçanit”, thuhet në notën verbale të Gërvallës.

Ndërkaq, në postimin e gazetarit, ky vendim i Qeverisë së Kosovës u konsiderua si veprim i duhur.

“Më mirë vonë se kurrë: Qeveria e Kosovës ka njoftuar Këshillin e Evropës se prona që i përket manastirit të Deçanit është regjistruar si e tillë. Politikanët vendas në këtë zonë nuk do të jenë më në gjendje të qëndrojnë në rrugën e drejtësisë”, thuhet në postimin e gazetarit.