Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka shprehur admirimin dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj Presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të Biden-it për tërheqjen nga gara për rizgjedhje presidenciale.
Ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e udhëheqjes së Biden-it dhe kontributin e tij të gjatë për lirinë dhe demokracinë globale.
“Populli i Kosovës e admiron dhe do të jetë gjithmonë mirënjohës ndaj presidentit të SHBA-së, Joe Biden. Udhëheqja e tij në Perëndim dhe kontributi i tij me dekada për lirinë dhe demokracinë globale janë një shërbim për të gjithë botën,” ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.
Presidenti Biden njoftoi të dielën tërheqjen e tij nga gara për t’u rizgjedhur president, duke thënë se kjo ishte në interesin më të mirë të partisë dhe të vendit.
Njoftimi i tij ka ngjallur reagime të shumta në mbarë botën, përfshirë edhe Kosovën, ku Biden ka gëzuar një mbështetje të fuqishme për rolin e tij në mbështetjen e pavarësisë dhe zhvillimit demokratik të vendit.
Gërvalla vuri në dukje se Biden ka treguar çfarë lideri dhe karakteri të madh ka, duke mbetur një figurë inspiruese për shumë njerëz në Kosovë dhe përtej saj.
Ajo shprehu bindjen se ndikimi i tij do të vazhdojë të ndihet edhe në të ardhmen, duke lënë një trashëgimi të rëndësishme në historinë moderne të politikës globale.