Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla: Reduktimi i Policisë në veri nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi

 
   

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar të mërkurën se reduktimi i Policisë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe zonat rreth tyre, në përputhje me dakordimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, nuk është tërheqje e kryeministrit Albin Kurti.

Ajo ka theksuar se prania e Policisë nuk është qëllim në vetvete, por është domosdoshmëri në situata të veçanta.

Gërvalla ka potencuar se marrëveshja synon largimin e 25 për qind të forcës policore, jo vetëm nga veriu, por edhe nga ndërtesat komunale dhe zonat rreth tyre, nëse policia nuk nevojitet atje.

Ajo ka shtuar se kjo veprimtari nuk duhet të konsiderohet si tërheqje e kryeministrit Kurti, por si një qasje e matur dhe e mençur në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët.

Gërvalla gjithashtu vuri në dukje se disa kërkesa për tërheqje të menjëhershme të zyrtarëve të Serbisë ishin të tepruara në situata të dhunshme, ndërsa negociatat janë vazhduar me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme.

“Marrëveshja është që menjëherë të largohet 25 për qind e policisë jo nga veriu por ndërtesat dhe zonat rreth tyre. Nuk ka nevojë për polici nëse nuk nevojitet. Nuk është tërheqje e Kurtit, por maturi dhe mençuri në gjetjen e zgjidhjeve me partnerët. Kërkesat kanë qenë të tepruara dhe s’e kemi ndjerë veten komodë. P.sh, largimi në atë kohë i policëve kur aty ka pasur dhunë masive nuk ishte gjëja e duhur. Ka pasur shumë më tepër kërkesa ditën e parë, si tërheqja e menjëhershme e kryetarit të Leposaviçit”, ka deklaruar Gërvalla.