Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gërvalla takon studentët, flet për punësim dhe vizionin për të ardhmën

 
   

Me ftesë të Universitetit të Gjakovës, “Fehmi Agani”, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka mbajtur sot një bashkëbisedim me studentët e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, me temë “Kosova: Sfidat, mundësitë dhe vizioni për të ardhmen”.

Këtij bashkëbisedimi i parapriu një takim me rektorin e këtij universiteti, Dr.Drilon Bunjaku, prorektorët si dhe dekanin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, Dr.Ferdi Kamberi, ku u diskutua rreth bashkëpunimit në shkëmbimin e stafit akademik me shtetet evropiane, ku ministrja Gërvalla ofroi mbështetjen e saj.

Para studentëve ministrja Gërvalla foli rreth kontributit dhe sakrificës së gjeneratave të shumta për çlirimin e vendit, duke përfshirë edhe studentët, demonstratat e tyre dhe luftën për çlirim duke theksuar se gjithë ajo punë, sakrificë dikur, duhet të shërbejë sot shembull që të rinjtë tanë të punojnë pa u ndalur në fuqizimin dhe zhvillimin e vendit.

Ajo foli edhe për sfidat e shumta me të cilat është përballur Kosova gjatë viteve duke u nisur nga imazhi i keq në botë, keq-qeverisja, korrupsioni, nepotizmi duke listuar më tej të arriturat e qeverisjes aktuale si në sundimin e ligjit, shtrirjen e sovranitetit në gjithë vendin, zhvillimin ekonomik si dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

“Rinia, potenciali i jashtëzakonshëm i tyre, shkathtësitë në njohuri digjitale, programet e qeverisë për punësimin e të rinjve si dhe vizioni për të ardhmen ishin çështjet tjera që u diskutuan gjatë bashkëbisedimit dhe ku studentët shprehën pikëpamjet e tyre për zhvillimin e shtetit në sektorë të ndryshëm si dhe shtruan për diskutim çështje me interes publik përmes pyetjeve dhe komenteve”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.