Kryeministri Albin Kurti është shprehur tejet i lumtur nga vizita e Nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci Publike, Liz Allen.
Kurti shkroi në Facebook se “ishte kënaqësi” që e mirëpriti Allen “sot në vizitën e saj të parë në Kosovë”, ndërsa publikoi një postim me plot vlerësime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes. Fuqizimi dhe thellimi i bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, është prioritet i ynë”, shkroi Kurti, për të treguar më tej se me diplomaten amerikane biseduan e shkëmbyen pikëpamje “për shumë tema me interes të përbashkët”.
Zyra e Kryeministrit i ka cituar fjalët e Kurtit, kur ai i ka uruar mirëseardhje Nënsekretares së Shtetit.
“Ai i uroi mirëseardhje nënsekretares Allen, e cila po e viziton Kosovën për herën e saj të parë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes, andaj presim që të fuqizojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”, theksoi kryeministri në fillim të takimit, teksa shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmën, rolin dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara për çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.