KIEV – Ambasadat e Shqipërisë, Argjentinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Portugalisë dhe përfaqësia e territoreve palestineze në Kiev pësuan dëme të shumta të premten nga një sulm rus me raketa, njoftuan zyrtarët ukrainas.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhyi tha se godina ku janë vendosur ambasadat u dëmtua rëndë nga sulmi rus.
Në pamje shihen dritaret e thyera, zyra të dëmtuara dhe një automjet me targa diplomatike me xhama të thyer.
Banorët e qendrës së qytetit dëgjuan shpërthime të fuqishme, pas të cilave shpërtheu zjarri në disa ndërtesa, tha drejtuesi i administratës ushtarake së Kievit, Serhiy Popko.
Ai tha se forcat ruse kishin sulmuar me tetë raketa, përfshirë raketat hipersonike ‘Kinzhal’ dhe balistike ‘Iskander’ në këtë sulm, sipas tij.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë i dënoi sulmet ndaj ambasadës si “brutale” dhe shtoi se ato vendosën “në rrezik jetën e personelit diplomatik”. Sipas ministrisë, gjatë sulmit Ambasada e Shqipërisë pësoi vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në disa nga hapësirat brenda saj.
“Ky akt i pakuptimtë është një sulm ndaj themeleve të vetë diplomacisë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Ministrisë. “Mbrojtja e personelit diplomatik dhe paprekshmëria e misioneve janë parime të panegociueshme që duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht.”
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut e dënoi sulmin ndaj godinës së ambasadave, ku ndodhet edhe ambasada maqedone në Ukrainë.
Sipas njoftimit të kësaj ministrie nuk pati dëmtime në njerëz pasi sulmi ndodhi në orët e hershme të mëngjesit, kur stafi diplomatik i ambasadës nuk ndodhej në ndërtesë.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, përmes një deklarate të postuar në platformën X, i dënoi sulmet ruse me raketa si “plotësisht të papranueshme”, duke i quajtur ato “akte agresioni që kërcënojnë sigurinë e civilëve dhe infrastrukturën kritike, përfshirë misionet diplomatike”.