Gjenerali shqiptaro-amerikan Muharrem Maralusha, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, që të dalë me një deklaratë për dialogun e Kosovës me Serbinë.
Ai ka propozuar që dialogu të kushtëzohet me kthimin e 20 mijë shqiptarëve, të shpërngulur nga dhuna serbe nga Kosova, përcjell Bota sot.
“Qeveria dhe Parlamenti (Asambleja) e Kosovës, duhet të dalë me një deklaratë vendimtare: Dialog me Serbinë, pasi të kthehen 20 mijë banorët shqiptarë që u shpërngulën nga dhuna serbe nga shtëpitë e tyre. Pasi të mbushet ky kusht, Qeveria e Kosovës, do të jetë më se e lumtur të hyjë në dialog me Serbinë”, ka shkruar Maralusha në një postim në Facebook.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, duke folur dje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, ka thënë se s’duhet harruar se ka marrëveshje mes të dyja vendeve, por s’ka zgjidhje, sepse s’po zbatohet ajo.
“Sa i përket normalizimit – unë po e vë gjithmonë theksin te fakti se kemi nevojë për zbatim të marrëveshjes dhe le të mos harrojmë që kemi marrëveshje. Sepse shumëçka që trumpetohet sot në mediat vendore, ato në Serbi dhe ato ndërkombëtare e ka krijuar përshtypjen thua se s’kemi zgjidhje se s’kemi marrëveshje. Në fakt, nuk kemi zgjidhje, sepse s’kemi zbatim të marrëveshjes dhe këtu Kosova nuk ka kurrfarë faji, për shkak se ne jemi treguar të gatshëm edhe ta nënshkruajmë marrëveshjen dhe më pastaj që ta zbatojmë me shpejtësi”, ka deklaruar Kurti, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.