Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar gjithashtu në lidhje me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e disa komunave paralele të Serbisë në vend.
Rohde shkroi në “X” se e mbështet deklaratën e Bashkimit Europian ku iu bë thirrje Kosovës “të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE”.
Rohde shkroi se veprimet e njëanshme të Kosovës “vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit”.
“Përsëri, unë e mbështes plotësisht këtë deklaratë! Masat e njëanshme vetëm sa i hedhin benzinë zjarrit dhe janë pikërisht e kundërta e uljes së tensioneve”, shkroi Rohde.
“Dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë është i vetmi forum i përshtatshëm për t’i adresuar këto çështje”, shtoi ambasadori gjerman.