Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjermania, vendi më i kërkuar nga qytetarët e Kosovës – ja sa viza ka lëshuar gjatë vitit 2022

 
   

Kanë mbetur edhe katër muaj kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Perëndimit.

Nga janari i vitit të ardhshëm, Kosova edhe zyrtarisht do të jetë vendi i fundit në Ballkan që nuk do të vuajë më regjimin me viza.

Por pavarësisht kësaj, numri i atyre që dëshirojnë të pajisen me vizë turistike, pune e familjare, vazhdon të jetë i lartë.

Madje, sipas një përgjigjeje elektronike të Ambasadës gjermane në Prishtinë, dhënë për RTK-në, vetëm në vitin 2022 kjo ambasadë ka lëshuar në përgjithësi 73,686 viza.

“Në vitin 2022, Ambasada gjermane i ka lëshuar 48,937 viza Shengen për nënshtetas të Kosovës, të cilët dëshirojnë të qëndrojnë në Gjermani përkohësisht me qëllim të turizmit, afarizmit etj, dhe 17.479 viza nacionale, ndër to 9.309 viza pune (përfshirë viza për shkencëtarë, trajnime profesionale, praktika, punë vullnetare). Ndërkohë, janë lëshuar edhe 7,270 viza me qëllim të bashkimit familjar për nënshtetas kosovarë të të gjitha moshave”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane.

Se kosovarët kanë përbërë numrin më të madh në botë të atyre që kanë kërkuar ta kenë një vizë nga ky shtet, e tregon edhe kjo përgjigje.

“Në po të njëjtin vit, Ambasada gjermane në Prishtinë ka qenë një nga ambasadat gjermane në mbarë botën e cila ka lëshuar më së shumti viza”.

Qytetarët vazhdojnë të aplikojnë për një vizë në këtë vend.

Në zyrën e aplikimit për vizë pune të Austrisë në Prishtinë, Astrit Ismaili nga Vitia e kishte sjellë shokun e tij që të aplikojë këtu. Ai tha se pothuajse të gjithë shokët e kanë marrë rrugën e Perëndimit.

 E njëjta situatë është edhe te Qendra e Aplikimit për Viza në Zvicër e Britani të Madhe.

Megjithatë, një anketë e realizuar nga SchengenVisaInfo.com zbulon se 62.3 për qind e të anketuarve kosovarë, të cilët janë kryesisht nga mosha 25 deri në 34 vjeç, thonë se nuk mendojnë të transferohen në BE, krahasuar me 37.7 %, të cilët thonë të kundërtën, se planet e tyre janë që një ditë të largohen nga Kosova.