Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Gjiganti” shkodran ngre lart flamurin kuqezi! Nelson Hysa hedh “KO” kundërshtarin që në raundin e parë dhe shpallet kampion bote

Nelson Hysa ngjyros kuqezi mbrëmjen në Leverkusen, boksieri shkodran ruan rekordin perfekt të karrierës me fitoren e 11 si profesionist në po kaq ndeshje, pasi mposhti rivalin argjentinas, Maximiliano Alejandro Sosa, në duelin për titullin botëror të versionit ËBC për vendet sllavo-balltike.

Më pak se 2 minuta iu deshën gjigantit shkodran për të vënë pikat mbi “i”, kur, pas një sërë goditjesh të dhuruara që nga nisja e takimit, tronditi boksierin latin, për t’i dhënë fund me një kombinim e majtë e djathtë, që hodhi në tapet boksierin argjentinas.

Sosa, teksa u përpoq të ngrihej, tregoi se e kishte të pamundur të merrte veten nga goditjet e shqiptarit dhe arbitri i dha fund ndeshjes, me Nelson Hysën që fitoi takimin e tij të 11 në po kaq ndeshje me “knock out” teknik për të rrëmbyer brezin e kampionit të botës, duke ndezur festën në “Osterman Arena” të Leverkusenit, ku dueli i shkodranit ishte eventi kryesor i mbrëmjes.

Në prononcimin e tij pas fitores, Hysaj ia dedikoi këtë fitore familjes së tij, që e ka mbështetur në këtë rrugëtim fantastik:

“Isha përgatitur shumë për këtë ndeshje dhe shpresoj që të tilla sfida tij bëj dhe në të ardhmen. Dua të shfrytëzoj momentin me të tjera fitore. Ndihem shumë mirë që kam tani këtë brez kampioni, dhe dua të vazhdoj në këtë rrugë fitoresh dhe të siguroj edhe breza të tjerë edhe më të rëndësishëm se ky”.