E gjinekologu, Blerim Syla e konsideron të rëndësishme këtë vaksinë kundër HPV-së.
Mirëpo ai ka edhe rezerva.
Kjo për shkak që sipas tij, vaksina kundër HPV nuk duhet t’iu jepet të gjitha vajzave, pa e shikuar anamnezën.
“Është shumë e rëndësishme me marr një vaksinë të tillë, mirëpo duhet të kontrollohet anamneza, e jo të gjithë fëmijëve duhet me iu dhënë kjo vaksinë. Ajo sugjerohet të jepet prej moshës 12 vjeçare e sidomos tek familjet të cilat e kanë anamnezën e ngarkuar, në këtë rast në qoftë se e kanë dikënd me kancer të qafës së mitrës, atëherë është e preferueshme”, ka thënë ai.
Syla ka edhe kritika.
Ai thotë që në këtë çështje ka qenë më shumë politika, sesa Shoqata e Gjinekologëve.
Sipas tij, këto janë vendime më shumë politike.
“Unë nuk i di qëndrimet, sepse ky më shumë ka me qenë vendim politik dhe i shtetit se këto i bënë Ministria e Shëndetësisë, mirëpo e kam një kritikë që Shoqata e Gjinekologëve nuk ka qenë fortë në këtë çështje, dhe unë mendoj që Shoqata e Gjinekologëve duhet me dal me një qëndrim, e jo politika. Unë nuk e di sepse IKSHPK është përgjegjëse për të gjitha vaksinat, mirëpo në këtë rast që po flasim duhet me dal Shoqata e Gjinekologëve me një qëndrim sepse ajo është në domenin e tyre, ndërsa IKSHPK-ja normal që merret me krejt vaksinat”, u shpreh ai.
Për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.