Kandidati për deputet nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Ardian Gjini, ka bërë thirrje për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në zgjedhje, duke theksuar rëndësinë e votës.
“Fitorja në demokraci është fitore për shërbim”, tha Ardian Gjini.
Ai ftoi qytetarët që të jenë aktivë dhe të luajnë rolin e tyre në procesin demokratik.
“Secili prej jush, bashkëqytetarë të dashur, sot ka një rol për të luajtur. Qoftë duke folur me familjarë, miq e kolegë, apo thjesht duke u paraqitur në votime, ne mund të bëjmë një ndryshim,” theksoi ai.
Gjini shprehu mirënjohje për të gjithë ata që mbështesin programin e tij dhe të Koalicionit për Kosovën Fituese, duke u zotuar për fokusin e tyre në zhvillimin e vendit dhe integrimin euroatlantik.
“Faleminderit të gjithëve që besojnë programin ‘DirektNëNATO’”, përfundoi Gjini, duke kujtuar numrin zgjedhor të koalicionit, 137.