Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjini për deklaratat e Limajt: Duam të mbesim bashkë, synimi i AAK’së është krijimi i një qeverie nga opozita

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Ardian Gjini, ka komentuar deklaratat e numrit dy të listës së partisë që garuan bashkë në koalicion për zgjedhjet e 9 shkurtit, Fatmir Limajt, i cili dje tha se është i hapur të ulet dhe të bisedojë me kryeministrin Albin Kurti.

Gjini tha se nuk është as momenti dhe as qasja e duhur për deklarata të tilla, teksa e cilësoi gabim mënyrën se si e ka thënë Limaj këtë deklaratë.

“Deklaratat e tilla krijojnë mjegull, e cila sot mes zyrtarëve tanë dhe Nismës në masë të madhe është sqaruar. Pozicioni është që duam të mbesim bashkë dhe të vazhdojmë bashkë dhe synimi është që ta kemi një qeveri të opozitës”.

“Do të mbesim bashkë si grup. Në këtë fazë nuk mund t’i di detajet, por besoj se nuk ka qenë as momenti as konteksti që t’i nxjerr tash, ende pa u numëruar votat dhe pa u parë qasja e partive”, tha Gjini në Klan Kosova.

Aktualisht koalicioni AAK-Nisma kanë tetë deputetë, ku AAK ka pesë e Nisma tre, ndërsa Gjini tha se gjasat janë që rezultati aktual të ndryshojë pasi shumë kandidatë sipas tij janë shumë afër me vota me njëri-tjetrin.

“Aleanca do ta ndihmojë opozitën që të krijojë qeveri. Qasja jonë është kjo. Mendojmë që një riciklim i Albin Kurtit do t’i sjell Kosovës dëme tashmë të pariparueshme. Prej asaj që më është interpretuar mua është se nuk ka luhatje në pozicion, por deklarata të tilla shkaktojnë konfuzion”.

“Ehe unë e kam të qartë se disa pozicione ndryshojnë gjatë fushatës dhe pas fushatës, por nuk mund të ndryshojnë qëndrime thelbësore. Qëndrimi thelbësor është se Albin Kurti është e keqja e Kosovës dhe synimi i Aleancës është që ta mbështesim krijimin e një qeverie nga opozita”, tha ai.