Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Gjoshi: Qeverinë s’e rrëzojmë me votat e Listës Serbe, edhe po të rrijë 20 vjet në pushtet

 
   

Sekretari organizativ në Partinë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, ka thënë se partia e tij në asnjë variant nuk do ta rrëzojë Qeverinë Kurti me votat e Listës Serbe.

Ai ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe po të rrijë Lëvizja Vetëvendosje 20 vjet në pushtet.

“Ne qeverinë nuk e rrëzojmë me votat e Listës Serbe në asnjë variant, edhe 20 vjet po të rrinë në pushtet. Kurti ka sjellje fëmijërore. Është i papërmbushur, ka ikur prej skandaleve të Rozeta Hajdarit dhe është strehuar atje, ku projekti i rrugës Tetovë-Prizren edhe fizibilitetin e ka pasur të kryer nga Qeveria Thaçi”, është shprehur ai.

Teksa është pyetur lidhur me përpilimin e udhëzimit administrativ që lejon shkarkimin e kryetarëve të komunave nga posti i tyre, Gjoshi e ka konsideruar atë të rrezikshëm në aspektin politik.

Sipas tij, ky udhëzim mund të keqpërdoret në situata të caktuara.

“Ky udhëzim është përcjellë me shumë dilema e shumë të meta, ka qenë proces komplet jotransparent dhe është hartuar në mënyrë jo të duhur. Nuk ka qenë zgjidhje udhëzimi administrativ. Një çështje kaq të rëndësishme siç është marrja e mandatit të kryetarëve të komunave do të duhej të rregullohej me ligj. Ikja nga përgjegjësia e akterëve kryesorë të vendit dhe të fshihen pas një akti tretësor që është edhe antikushtetues e antiligjor dhe nuk e zgjidhë këtë problem, e shpërfaq më së miri se sa joprofesionale dhe sa e papërgjegjshme është Qeveria, por në të njëjtën mënyrë është e papërgjegjshme edhe presidentja që ka detyra dhe rol në këtë fushë”, ka shtuar Gjoshi.

Sekretari organizativ në PDK ka konsideruar se Kosova gjendet në pozicionin më të keq që nga liria e saj në aspektin e jashtëm.

“Kemi një degradim të procesit në pjesën veriore. Tashmë është bërë palë Serbia për të na caktuar numrin e policëve që do të kemi në veri. Sot e patëm edhe një tërheqje të vërejtjes nga NATO që pa lejen e tyre policia nuk mund të marrin iniciativa në atë pjesë. Në aspektin e jashtëm Kosova e ka pozicionin më të keq që ka pasur prej lirisë së saj”, ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk ka arritur ta mbajë asnjë qëndrim.

“Pa frymë rrimë për aq sa mbajnë këta qëndrime. Asnjë qëndrim nuk e kanë mbajtur. Vetëm një qëndrim e kanë, të kalkulojnë si të fitojnë ndonjë votë, por nuk iu intereson dëmi që i bëjnë qytetarëve dhe vendit që në këtë rast është i pariparueshëm dhe është një pozicion që vetëm armiqtë do t’ia dëshironin Kosovës”, ka thënë ai.