Posedimi i armëve është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. E përpos kësaj, sidomos gjatë sezonit të verës kur ahengjet familjare janë pothuajse të përditshme, shtohen edhe rastet e të shtënave me armë zjarri.
Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Makresh i Ulët në komunën e Artanës, ku Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje gjatë ditës së djeshme.
Sinjali mëson se në shtëpinë e dy të dyshuarve është gjetur dhe sekuestruar një kallashnikov dhe një pistoletë.
Dy të rinjtë dyshohet se kanë shkrepur armët në një aheng familjar në fund të muajit të shkuar dhe të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen në liri për veprat penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.